Reshjet e rrëmbyeshme të shiut gjatë pasdites së djeshme kanë përmbytur “Serovën”, lagjen e Komunës së Çairit, e cila ndodhet vetëm 2.5 kilometra larg qendrës së Shkupit. Ekipi i Portalb.mk, vizitoi disa prej shtëpive të cilat kanë pësuar nga vërshimet. Banorët gjatë tërë natës, por edhe gjatë ditës së sotme kanë pastruar, pasi që bodrumet, por edhe dhomat tjera janë mbushur me ujë. Ata kërkojnë që autoritetet komunale apo qendrore t’i ndihmojnë pasi që dëmet janë serioze, por deri më tani askush s’u ka trokitur në derë, madje as u janë përgjigjur thirrjeve të tyre.
“Tërë natën kemi pastruar dhe jemi mundur të shpëtojmë çfarëdo që është e mundur, por ende s’mundemi të vijmë në vete. Dëmet ashtu siç mund t’i shihni janë të mëdha”, kështu për Portalb.mk thotë një banor i lagjes “Pero Toshev”, shtëpia e të cilit është vërshuar nga reshjet e djeshme.
Pamjet të cilat mund t’i shini edhe në fotografitë dhe videot të cilët i siguruam nga disa shtëpi në disa lagje të Serovës janë dramatike.