8.4 C
Tetovo
E hënë, 25 Nëntor, 2024
BallinaLajmeNATO do të intervenojë nëse rrezikohet stabiliteti në Kosovë

NATO do të intervenojë nëse rrezikohet stabiliteti në Kosovë

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë të mërkurën në Bruksel, se në rast të rrezikimit të stabilitetit të Kosovës, misioni i KFOR-it është i gatshëm të intervenojë.

Ai e tha këtë në një konferencën për shtyp me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me të cilin u takua pasdite.

Tash shefi i NATO-s, është në takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

“Vlerësoj rastin se pata për të diskutuar për situatën e sigurisë në veri të Kosovës. Kërkohet përgjegjësi nga të dyja palët për uljen e tensioneve. Kërkoj nga të dyja palët që të ulin tensionet. Në rast se do të rrezikohej stabiliteti, KFOR-i është i gatshëm të veprojë”, ka thënë Sekretari i përgjithshëm i NATO-s.

“Dialogu konstruktiv është e vetmja rrugë për zgjidhjen e problemeve. Duhet të gjendet zgjidhje që i respekton të gjitha komunitetet”, ka shtuar shefi i NATO-s, duke shtuar se ai pret që në frymën konstruktive të zhvillohet takimi i së enjtes në kuadër të dialogut.

Shefi i NATO-s ka rikujtuar se misioni i KFOR-it tash me rreth 4.000 ushtarë, është misioni më i madh jashtë territorit të NATO-s.

“Me praninë e tij ndikon që të ruhet stabiliteti. Vet prania e tij (KFOR-it) ndikon në këtë. Ne jemi në kontakte të rregullta komunikimi edhe me Shtabin e Ushtrisë së Serbisë edhe me autoritetet e Kosovës për të evituar incidentet”, ka thënë Sekretari i përgjithshëm i NATO-s.

Stoltenberg e ka falënderuar Vuçiqin për vizitë dhe ka thënë se NATO-ja do të punojë me Serbinë për ndërtimin e paqes në rajon.

Vuçiq i është falënderuar Sekretarit të përgjithshëm të NATO-s për gatishmërinë për të dëgjuar palën serbe.

Ai ka thënë se telefonatat që ka pasur me të kanë ndihmuar që të ulen tensionet.

“Unë nuk kam dëshirë të bart përgjegjësinë ndaj dikujt, të luaj lojë fëmijësh dhe nesër do të kem takim në kuadër të dialogut ku do të kërkojmë zgjidhje, sipas të drejtës ndërkombëtare dhe marrëveshjeve të arritura”, ka thënë Vuçiqi.

Vuçiq ka thënë se ai ka dorëzuar edhe të dhënat që, sipas tij, tregojnë për sulmet ndaj serbëve në Kosovë dhe atë që ai e ka quajtur si “hyrje ilegale” të njësive speciale të Kosovës në veri.

Në pyetjen se a ka NATO dëshmi për hyrjen e trupave serbe në territorin e Kosovës, Stoltenberg ka thënë se “roli i NATO-s është në bazë të mandatit të qartë që ka dhe të jetë neutral, e jo të merr anë”.

Vuçiq pohimet për hyrjen e ushtrisë së Serbisë në Kosovë i ka quajtur si “rrenë e qëllimshme për sulme ndaj Serbisë”.

“Natyrisht se Ushtria dhe policia e Serbisë asnjëherë nuk e kanë kaluar linjën e caktuar. Kanë gënjyer sikur kanë gënjyer edhe për gjërat tjera”, ka thënë Vuçiq.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments