Para fillimit të vitit shkollor, prindërit tashmë kanë filluar përgatitjen e fëmijëve për shkollë. Blihen fletore, mjete shkollore, çanta shpine dhe materiale të tjera shkollore, por ndryshe nga vitet e kaluara, çmimet tani janë mesatarisht 50 deri në 60 për qind më të larta.
Kështu, tani për pajisjen e një nxënësi të klasës së parë nevojiten mesatarisht 5.000 deri në 6.000 denarë, për dallim nga para pandemisë, kur shpenzimet për një nxënës të klasës së parë varionin nga 3.000 deri në 4.000 denarë.
Libraritë, të cilat janë destinacionet më të vizituara në këtë periudhë të vitit, bëjnë të ditur se çmimet e materialeve shkollore janë rritur nga 50 deri në 60 për qind krahasuar me vitet e kaluara, pra para fillimit të pandemisë.
Sipas informacioneve që ka marrë MIA gjatë vizitës nëpër librari, familjet që kanë nxënës të klasës së parë do të duhet të ndajnë rreth 3.500 denarë për lapsa, stilolapsa, shkumësa me ngjyra, gërshërë dhe komplet me aksesorë të përfshirë, nga 500 deri në 1.000 denarë për fletore, kurse shpenzimet për një çantë shpine variojnë nga 700 deri në 3000 denarë në varësi të modelit dhe cilësisë.
Për nxënësit nga klasa e dytë deri në të nëntën, kostot janë pak më të ulëta, thonë libraritë, pasi nxënësit mund të kenë ende materiale të vitit të kaluar dhe të mos blejnë çantë shpine të re. Kështu shpenzimet e tyre do të zvogëloheshin për 1000 deri në 2000 denarë ose rreth 27 për qind më pak.
Rritja më e madhe e çmimeve është tek fletoret, e cila sipas librarive vjen si pasojë e rritjes së çmimit të letrës. Nëse çmimi i një fletore të vogël para pandemisë ishte 10 denarë, tani për të njëjtën fletore paguani dyfishin, pra 20 denarë. Fletoret me cilësi më të mirë, të cilat para pandemisë mund të bliheshin me çmim prej 30 denarë, tani janë më të shtrenjta për 33 deri në 50 për qind, përkatësisht çmimi i tyre aktual varion nga 40 deri në 45 denarë.
E njëjta gjë ndodh edhe me stilolapsat, për të cilët para pandemisë çmimi optimal ishte 65 denarë, ndërsa tani shiten me çmim prej 95 denarë. Mjetet e tjera shkollore janë gjithashtu më të shtrenjta.
Libraritë thonë se çmimet varen nga marka dhe cilësia e materialeve. Mund të gjenden materiale më të lira dhe më të shtrenjta.alsat.mk