Shpenzimet minimale të një familjeje për muajin korrik ishin mbi 47.000 denarë, tregojnë të dhënat statistikore të Lidhjes së Sindikatave. Kjo do të thotë se për një muaj shpenzimet bazë janë rritur për 8 mijë, pasi shporta sindikale në muajin qershor ishte 39.710 denarë. Sipas LSM-së, familjet me dy anëtarë të punësuar, me të ardhura sa një pagë mesatare ose minimale, nuk mund t’i mbulojnë të gjitha harxhimet. Nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë kërkojnë korrigjim të pagave për shkak të rritjes së kostos së jetesës.“Duke pasur parasysh se inflacioni prej 16% e zhvlerëson vlerën e pagave dhe prej këtu shuma prej 18.000 denarëve, sa është paga minimale në Maqedoni, ka vlerë reale prej 15.120 denarëve, kurse shuma e një page mesatare prej 31.525 denarëve ka vlerë reale prej 26.481 denarëve, me çka populli është varfëruar në masë të madhe”, thonë nga LSM.
Nga LSM-ja kërkojnë harmonizime të menjëhershme të pagave për të zbutur goditjen e inflacionit. Kjo do të thotë se Qeveria duhet t’i harmonizojë pagat për 18.4% deri në shtator në përputhje me Ligjin, sepse në të kundërtën, siç thonë nga Sindikata, ashtu siç i ndëshkon Qeveria punëtorët, edhe punëtorët do ta ndëshkojnë Qeverinë.
Enti për Statistikë dje publikoi të dhëna të cilat tregojnë se inflacioni në korrik ishte 16%. Kjo është pothuajse dyfish më shumë se projeksioni i Bankës Popullore që është bërë në prill, me të cilin parashihej se inflacioni në vitin 2022 do të jetë 8.8%.
Sa u përket vendeve të BE-së, vetëm në Çeki, Lituani, Letoni dhe Estoni ka inflacion më të lartë. Në vendet e tjera, sipas të dhënave të Eurostat-it, inflacioni është më i ulët se në Maqedoni, kurse mesatarja evropiane është 8,6%.
Ndryshe, të dhënat e Entit për Statistikë tregojnë se rritje të shpenzimeve të jetesës në korrik, krahasuar me muajin qershor është shënuar te buka dhe drithërat për 4,8%, djathi dhe gjiza për 4,5 %, qumështi për 3,6 %, frutat e freskëta dhe të ftohta për 2,9 %, mish për 1.8 %, sheqeri, reçeli, mjalti, çokollatat dhe produktet e ëmbëlsirave, si dhe te produktet e tjera ushqimore.