Një sulm kibernetik që mbylli përkohësisht shumë shërbime dixhitale të qeverisë shqiptare dhe faqe interneti në mes të muajit korrik, ka të ngjarë të jetë vepër e hakerëve pro-iranianë që synonin të prishnin konferencën e një grupi opozitar iranian në Shqipëri, bëri të ditur të enjten ‘Mandiant’ një prej kompanive kryesore amerikane që trajtojnë çështje të sigurisë kibernetike.Në një raport të saj kompania shpreh një ‘besim të matur’ se sulmuesit kishin vepruar në mbështetje të përpjekjeve të Teheranit kundër disidentëve, bazuar në disa faktorë: koha, përmbajtja e publikuar në një kanal të medias sociale që përdoret për të marrë përgjegjësinë mbi sulme të kësaj natyre dhe ngjashmëritë me kodin e programit me virus, i cili është përdorur prej kohësh për të goditur folës në gjuhën farsi dhe arabisht.
Konferenca e 23 dhe 24 korrikut nga grupi opozitar iranian Muxhahedeen-e-Khalq u anulua pas paralajmërimeve nga autoritetet lokale për një kërcënim të mundshëm terrorist. Rreth 3,000 disidentë iranianë të këtij grupi, që njihen kryesisht si MEK-ët, jetojnë në kampin Ashraf 3 në Manzë, 30 kilometra larg kryeqytetit të Shqipërisë, Tiranës.
Takimi botëror i Iranit të Lirë do të mbahej në kamp dhe mes të ftuarve kishte edhe ligjvënës amerikanë.
Një grup që e quan veten “Homeland Justice” mori përgjegjësinë lidhur me sulmin kibernetik, duke përdorur viruse që synojnë zhvatjen për qëllime përfitime financiar, por që po përdoret gjithnjë e më shumë për qëllime politike, veçanërisht nga Irani.
Pretendimi nga “HomeLand Justice” u bë në një kanal të aplikacionit Telegram, në të cilin u postuan dokumente që supozohej se ishin leje qëndrimi në Shqipëri të anëtarëve të MEK-ut, së bashku me pamje filmike që tregonin tek aktivizohej programi me virus. Kanali pretendonte për korrupsion në qeverinë shqiptare dhe përdorte hashtagë përfshirë #Manzë.
Kjo ngjarje përbën një kërcënim aktiv për organizatat publike dhe private në vendet e tjera anëtare të NATO-s”, tha kompania amerikane. “Ndërsa negociatat rreth marrëveshjes bërthamore të Iranit kanë ngecur, ajo tregon se Irani mund të jetë më pak i përmbajtur në kryerjen e sulmeve kibernetik në vazhdim”.
Pak ditë më parë qeveria shqiptare tha se metoda e hakerëve ishte identike me sulmet e vitit të kaluar në shtete të tjera të NATO-s, përfshirë Gjermaninë, Lituaninë, Holandën dhe Belgjikën.
Misioni i Iranit në Kombet e Bashkuara nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment të bërë të enjten.burimi i lajmit