Partia opozitare shqiptare Lëvizja Besa sot ka dal me qëndrim rreth propozimit francez dhe hapjen e mundshme të Kushtetutës së Maqedonisë Veriut.
“Lëvizja Besa mbështet fuqishëm rrugëtimin euro-integrues të Maqedonisë së Veriut prandaj çdo veprim politik i cili do ndihmonte procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian dhe nuk do cënon interesin e shqiptarëve në vend, do të ketë mbështetjen e Lëvizjes Besa. Sa i takon propozimit francez për heqjen e vetos bullgare për Maqedoninë e Veriut e vlerësojmë si një proces i cili do duhet të përcillet në hapa ashtu edhe si do rrugëton vendi drejt integrimit të vendit, ndërsa sa i takon hapjes së kushtetutës së vendit konform ndryshimeve që do duhet të ndodhin, Lëvizja Besa edhe njëherë riafirmon qëndrimin e vet se në hapjen e radhës të kushtetutës do përdorim gjitha mekanizmat parlamentare që të imponojmë heqjen e terminologjisë nënçmuese për shqiptarët si çështja e 20% i cili duhet të zëvendësohet me fjalinë “gjuha shqipe”, thuhet në kumtesën e Lëvizjes Besa.
Poashtu Lëvizja Besa, thonë nga atje, përmes deputetëve të saj në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut do luajë rol konstruktiv për aq sa qasje të njëjte do kenë edhe partitë e shumicës parlamentare.
“Sa i takon situatave aktuale politike në vend Lëvizja Besa edhe njëherë shpreh konstruktivitetin politik si parti opozitare për të gjitha proceset politike në vend, por duke pasur parasysh se shumica aktuale politike ka humbur legjitimitetin e saj dhe gjitha politikat e tyre janë të dëmshme për qytetarët duke nisur që nga keq menaxhimi me sektorët e energjetikës, ekonomisë dhe gjitha sferat e tjera, Lëvizja Besa vlerëson se kjo katrahurë e krijuar nga shumica parlamentare duhet të ndalet përmes organizimit sa më të shpejtë të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, ku verdikti do kthehet te sovrani dhe populli do vendosë se kush të udhëheqë në të ardhmen me shtetin”, shtojnë nga atje.