Letonia mbështet Kosovën në rrugën e saj drejt anëtarësimit në organizata euroatlantike.
Këtë mesazh e dha presidenti i Letonisë, Egils Levits,pas një takimi me homologen e tij Vjosa Osmani në prishtinë. Sipas liderit evropian tani është koha e duhur që Kosova t’i bashkohet NATO-s dhe Këshillit të Evropës.
“Është e rëndësishme që të fuqizojmë bashkëpunimin mes Kosovës dhe NATO-s. Si hap i parë së paku është e domosdoshme që Kosova t’i bashkohet partneritetit për paqe dhe mendoj se tani është koha e duhur për të bërë këtë hap të mirë.Letonia është duke e përkrahur këtë hap. Është e domosdoshme po ashtu që të integrohet Kosova në organizata ndërkombëtare dhe forume. Para se gjithash në Këshillin e Evropës, i cili është një organizatë e shteteve të demokratike që bazohen në sundimin e ligjit”, tha Presidenti i Letonisë, Eglis Levits.
Nga ana tjetër , presidentja Osmani nënvizoi nëvojën për anëtarësimin në organizatat ndërkombetare pasi Serbia po mundohet të destabilizojë Ballkanin.
“Kam kërkuar mbështetje në rrugëtimin tonë drejt integrimit euroatlantik. Këto aleanca duhet t’i kenë dyert e hapura për shtetet si Kosova. “Serbia nuk po i pranon standardet evropiane. Kosova ka dhënë maksimumin për te arritur një marrëveshje, ashtu siç ka kërkuar edhe BE-ja. Në ditët në vijim do të ketë akoma përpjekje për të arritur një marrëveshje”, u shpreh presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Osmani ka akuzuar gjithashtu Beogradin se ka bllokuar edhe progresin në dialogun Kosovë-Serbi.