Drunjtë në rrugën “Strasho Pinxhur” në Tetovë janë prerë në bazë të një vendimi të Inspektoratit Komunal për Ekologji dhe ndërmarrjes publike për Gjelbërim, shkruan Alsat.
Në dokumentin të cilin e ka siguruar Alsat thuhet se vendimi është marrë pas konstatimit se drunjtë në këtë rrugë duhet të priten dhe të zëvendësohen me fidane të reja, por edhe ankesës së disa prej pronarëve të lokaleve të cilët me peticion i janë drejtuar komunës për shkak të depërtimit të rrënjëve në dyqanet e tyre dhe pengesave që kanë hasur këmbësoret. Nga sektori komunal për veprimtari publike thonë se dokumentacioni do të dorëzohet në mbledhjen e radhës të këshilltarëve që pritet të mbahen brenda ditëve, pas çka edhe do fillojnë punimet për rikonstruimin e rrugës “Strasho Pinxhur”.
“Është se kanë kërkuar vet qytetarët për vazhdimin e punës dhe largimin e druve që janë pengesë për bizneset e tyre, se janë pengesë për këmbësorët dhe kam potencuar disa herë se kanë pasur problem me shitoret se iu kanë depërtuar rrënjët e druve. Ne para nisjes me punët ndërtimore e kemi obligim dhe i drejtohemi inspektoratit për ambient jetësor dhe del e konstaton gjendjen e druve, inspektorati ka dalë në prezencë të mbikëqyrësit dhe udhëheqësit të parqeve dhe gjelbërimeve dhe me proces verbal është konstatuar se të njëjtët duhet ndërruar dhe zëvendësuar me fidane të reja”, deklaroi Memet Jonuzi. shef i sektorit për veprimtari publike.