BE synon të trajtojë rritjen e çmimeve të grurit, plehut dhe mungesat e pritshme në Ballkan, Afrikën e Veriut dhe Lindjen e Mesme me “diplomaci ushqimore” për të kundërshtuar narrativën e Rusisë mbi ndikimin e pushtimit të saj në Ukrainë, thonë diplomatët dhe zyrtarët e BE-së.
Pasiguria ushqimore po shkaktonte “pakënaqësi” në vendet e cenueshme në këto rajone, ndërsa Moska po e portretizonte krizën si pasojë e sanksioneve perëndimore ndaj Rusisë, tha një diplomat i Bashkimit Europian. Kjo përbën një kërcënim të mundshëm për ndikimin e BE-së, tha diplomati, të cilin ajo planifikon ta trajtojë me “diplomaci ushqimore dhe një betejë narrativash”. Presidenti rus Vladimir Putin tha javën e kaluar se sanksionet e Perëndimit kishin nxitur një krizë globale ushqimore dhe rritje të çmimeve të energjisë.
Fqinjët e BE-së, veçanërisht Egjipti dhe Libani, janë shumë të varur nga gruri dhe plehrat nga Ukraina dhe Rusia dhe aktualisht ata përballen me një rritje të çmimeve pas një rënie të furnizimeve që kur Moska filloi atë që e quan një “operacion special ushtarak” në Ukrainë. Blloku 27 anëtarësh dëshiron gjithashtu të nxisë përpjekjet ndërkombëtare për të zbutur ndikimin e mungesave dhe së bashku me Programin Botëror të Ushqimit të OKB-së do të shpallin nisma të reja të martën.
Franca, prodhuesi më i madh bujqësor i BE-së, po nxit një iniciativë të quajtur “FARM”, e cila do të përfshijë një mekanizëm global të shpërndarjes së ushqimit për vendet më të varfra ndërsa Hungaria ka sugjeruar rritjen e prodhimit bujqësor të BE-së duke ndryshuar objektivat e saj klimatike.
Dhe Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO) konfirmoi se po shqyrtonte një lehtësi për financimin e importit të ushqimit. Megjithatë, shërbimi i çështjeve të jashtme të BE-së tha se bashkëpunimi me Drejtorin e Përgjithshëm të FAO-s mbi pasigurinë globale të ushqimit ishte “sfidues”, duke shtuar se BE-ja po e shtynte FAO-n të vepronte shpejt.
Në një listë rekomandimesh në faqen e internetit të FAO-s, drejtori i Përgjithshëm thotë se “Vendet e varura nga importet ushqimore nga Rusia dhe Ukraina duhet të kërkojnë furnizues alternativë për të absorbuar tronditjen.” RTS-scan