Të hënën, më 4 prill, presidenti rus Vladimir Putin ka uruar presidentin serb Aleksandar Vuçiq për fitoren e zgjedhjeve të tjera presidenciale.
Putin tha se shpresonte që Vuçiq të ndërtonte “partneritetin e tyre strategjik”, tha Kremlini, transmeton AFP.
“Unë pres që puna juaj si kreu i shtetit do të vazhdojë të kontribuojë në forcimin e partneritetit strategjik që ekziston midis vendeve tona”, tha Putin në një telegram drejtuar Vuçiqit, sipas një deklarate të Kremlinit.
Të dielën, më 3 prill, qytetarët e Serbisë zgjodhën Presidentin e Republikës, deputetët dhe kuvendet lokale në Beograd, Bor dhe dymbëdhjetë komuna të tjera.
Vuçiq fitoi mandatin e dytë radhazi presidencial në raundin e parë të zgjedhjeve, me shumicë votash.
Më 4 prill, OJQ Qendra për Zgjedhje të Lira dhe Demokraci (CeSID), si një nga vëzhguesit e zgjedhjeve, shpalli projeksionin përfundimtar të rezultateve të zgjedhjeve presidenciale serbe, sipas të cilit Vuçiq, si kandidat i Partisë Progresive Serbe ( koalicioni SNS), fitoi 58.3 për qind të votave.
Të hënën, Putin uroi gjithashtu kryeministrin hungarez Viktor Orban për shpalljen e fitores së partisë së tij në zgjedhjet parlamentare të së dielës.
Pas pushtimit rus të Ukrainës, i cili filloi më 24 shkurt, Beogradi zyrtar refuzoi t’i bashkohet sanksioneve të Bashkimit Evropian kundër Rusisë, megjithëse mbështet integritetin territorial të Ukrainës.
Në seancën e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara më 2 mars, Serbia iu bashkua dënimit të pushtimit rus të Ukrainës.rel