Gjermania drejt shëndrrimit në fuqi të madhe ushtarake

0
241

Kthesa historike në politikën e jashtme dhe të sigurisë të Gjermanisë është kthesë drejt Evropës dhe Perëndimit, jo mbyllje në vete. Opinioni publik në Gjermani e mbështet fuqimisht këtë shndërrim, shkruan Auron Dodi.

Pakgjë konkrete ta sugjeronte këtë kthesë historike të politikës së jashtme dhe të sigurisë së Gjermanisë. Programi i koalicionit të ri qeveritar mban titullin “Të guxojmë më shumë përparim”. Është fakt se ky program i dy partive të majta, me krahe pacifiste, dhe i një partie të djathtë nuk mbetet pas programit të qeverive konservatore të Merkelit, në politikën e jashtme dhe të sigurisë.

Por hapat e parë të qeverisë së re të kujtonin vazhdimin e politikës së deritashme. Qeveria nuk deklaronte shprehimisht se gazsjellësi Nordstream 2 do të pezullohej, ndonëse e nënkuptonte këtë. Dërgimi i armëve Ukrainës përjashtohej. Qëndrimi ndaj Rusisë shpjegohej me të kaluarën.

Kjo ishte situata kur ofensiva e Rusisë kundër Ukrainës solli një tronditje tektonike të parimeve bazë të politikës së jashtme dhe të sigurisë të Gjermanisë.

Java kur ndryshoi thuajse gjithçka

Kjo ishte situata kur të martën (22.02.) kancelari Olaf Scholz shpalli pezullimin e gazsjellësit Nordstream 2. Rusia kishte njohur republikat separatiste në Ukrainën Lindore. Katër ditë më vonë (26.02.) Gjermania vendosi t’i dërgojë armë Ukrainës. Rusia sapo kishte nisur ofensivën kundër Ukrainës. Dhe një ditë më vonë (27.02.) kancelari Scholz mblodhi parlamentin federal, Bundestagun, në një sesion të posaçëm, për shkak të situatës në Ukrainë.