Në sfondin e ashpërsimit të konfliktit mes Rusisë e Ukrainës, Ministria e Punëve të Jashtme në Berlin u drejtohet gjermanëve të largohen nga Ukraina. Edhe vende të tjera u bëjnë thirrje për largim qytetarëve.
Nga njëra shtetet perëndimore vazhdojnë të kërkojnë rrugën diplomatike me Rusinë, nga ana tjetër po bëhen përgatitje, nëse situata shkallëzohet deri në shpërthim sulmesh. Ministria e Punëve të Jashtme paralajmëroi të shtunën, se “tensionet me Rusisë dhe Ukrainës janë shtuar ndjeshëm në ditët e fundit para prezencës masive dhe lëvizjeve të trupave ruse. Nuk përjashtohet një përplasje ushtarake.”
“Nëse aktualisht ndodheni në Ukrainë, verifikoni nëse prania juaj është detyrimisht e domosdoshme aty. Nëse jo, largohuni pa vonesë”, ka bërë të ditur Ministria e Jashtme gjermane në një deklaratë të shtunën (12.02. Pas paralajmërimeve të mëparshme nga qeveria amerikane për sulm të mundshëm rus, SHBA, por edhe vende të tjera si Britania e Madhe, Danimarka, Letonia, Estonia u kanë drejtuar thirrje qytetarëve të tyre të largohen nga Ukraina. Edhe ambasada gjermane në Kiev do të mbetet e mbyllur. Konsulli i përgjithshëm gjerman në Dnipro do të kalojë në Lviv, zyrtarët gjermanë duhet të largohen nga vija e kontaktit mes trupave qeveritare ukrainase dhe separatistëve të mbështetur nga Rusia. Deri më tani MPJ kishte dhënë vetëm një paralajmërim udhëtimi për Ukrainën, raporton dw.
========
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë u ka bërë thirrje shtetasve shqiptarë që të largohen nga Ukraina sa më parë.
Në njoftimin e bërë të shtunën (12 shkurt), Ministria ka këshilluar po ashtu të mos udhëtohet drejt Ukrainës ku ekziston rreziku për luftë. Ndërkohë, nuk janë dhënë detaje se sa është numri i shtetasve shqiptarë në Ukrainë.
Deri më tani vendet si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkuar, Gjermani, Estonia, Norvegjia e Holanda, u kanë bërë thirrje shtetasve të tyre të largohen nga Ukraina.
Në rajonin e Ballkanit, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut u kanë bërë thirrje qytetarëve të vet që përkohësisht të lëshojnë Ukrainën po ashtu.
Autoritetet e Kosovës deri më tani nuk kanë bërë ndonjë thirrje të tillë.
Më herët, të shtunën, u bë e ditur se Shtetet e Bashkuara do të evakuojnë Ambasadën e tyre në Kiev pasi zyrtarët e inteligjencës amerikane paralajmërojnë se një pushtim rus i Ukrainës është gjithnjë e më i afërt.
Masa e re vjen pasi Uashingtoni ka përshkallëzuar paralajmërimet për një pushtim të mundshëm rus të Ukrainës, duke thënë se mund të ndodhë në çdo moment.
Një operacion i madh ushtarak kundër Ukrainës mund të fillojë “çdo ditë tani”, madje edhe para përfundimit të Lojërave Olimpike Dimërore, tha më 11 shkurt këshilltari për sigurinë kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan.
Ai u bëri thirrje të gjithë amerikanëve që të largohen menjëherë nga Ukraina.
“Nëse qëndroni, po rrezikoni”, tha ai.
Rusia ka mohuar se grumbullimi prej më shumë se 100,000 ushtarësh dhe pajisjeve ushtarake në zonat afër kufirit me Ukrainën është paralajmërim për një pushtim të mundshëm.