11.6 C
Tetovo
E premte, 1 Nëntor, 2024
BallinaLajmeVDEKJA E REXHAIL QERIMIT/ Sela: Edhe një tragjedi e madhe si pasojë...

VDEKJA E REXHAIL QERIMIT/ Sela: Edhe një tragjedi e madhe si pasojë e padrejtësisë dhe diskriminimit

Lideri i Aleancës për Shqiptarët (ASH), Ziadin Sela ka reaguar në rrjetin social Facebook pas publikimit të lajmit për vdekjen e Rexhail Qerimit nga fshati Opajë i Kumanovës i dënuar për rastin “Alfa” së bashku me Agim Islamin, përcjell PRESSonline.mk

Postimi i plotë i kreut të ASH-së, Ziadin Sela

Edhe një tragjedi e madhe që vjen si pasojë e padrejtësisë dhe diskriminimit të këtij sistemi të kapur krimi dhe korrupsioni. Rexhail Qerimi, na dogji zemrat të gjithëve me ikjen e tij të parakohshme nga kjo botë. Nuk iu lejua të shijojë lirinë dhe drejtësinë, të cilën gjithë opinioni e pa se ai e meritoi më shumë se çdo kush tjetër.
Si çdo shqiptar në këtë shtet, ndjehem i neveritur dhe thellësisht i revoltuar nga lajmi për vdekjen e Rexhail Qerimit, i cili mbahej në burgun e Idrizovës për më tepër se një dekadë, i dënuar padrejtësisht në rastin “Alfa”.

Rasti “Alfa” do të ngelet një ndër rastet më eklatante të montuara politike kundër shqiptarëve, në të cilin tre të pafajshëm, pa asnjë provë materiale, u dënuan me burg të përjetshëm pas ekzekutimit nga një grup ende i panjohur, të një polici shqiptar të njësitit “Alfa” në parkingun e fakultetit matematiko-natyror në vitin 2008.

Për vite me radhë, politika dhe drejtësia ia hudhën fajin njëra-tjetrës për mbajtjen e këtyre qytetarëve të pafajshëm, duke injoruar dëshmitë materiale dhe konkluzionet e ekspertizës ndërkombëtare të video materialit nga kamerat e sigurisë që dëshmojnë pafajësinë e Rexhailit dhe të dënuarve të tjerë. Për pasojë, rasti nuk gjeti epilogun e drejtë dhe shqiptarët sot kanë një martir të ri të drejtësisë së verbër dhe selektive, të instaluar për vite më radhë nga shteti i kapur që ka shndërruar shqiptarin në fajtorin kujdestar për çdo krim të pasqaruar e të montuar.

Vdekja e Rexhailit na rikujton edhe njëherë falimentimin e shtetit të së drejtës dhe nevojën urgjente për të siguruar një gjyqësor të pavarur, efikas dhe të drejtë. Kjo mund të arrihet vetëm përmes vetingut në gjyqësor për të eliminuar ndërhyrjet politike, sjelljet bllokuese, joetike dhe shpeshherë korruptive të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Përballë këtij falimentimi, vazhdojmë të besojmë se zgjidhja e vetme për rastet e montuara politike dhe të korrupsionit të nivelit të lartë ngelet krijimi i një misioni evropian për shtetin e së drejtës, që do të ketë për mision kryesor rishikimin e procedurave gjyqësore në lidhje me këto raste.

Familjes së Rexhailit i shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta. Bashkëndjejmë dhimbjen e tyre dhe u kërkojmë falje që nuk kemi mundur të bëjmë më tepër për lirimin e tij dhe të gjithë shqiptarëve të pafajshëm. Drejtësia ka dështuar për Rexhailin dhe ajo do të vonojë për të pafajshmit e tjerë që po mbahen padrejtësisht në burgjet tona, por Aleanca për Shqiptarët zotohet se drejtësia nuk do të harrojë.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments