Aplikoi për IPRAD, fitoi kallëzim penal – Punonjësja e Bujqësisë kërkonte ryshfet.
Ka aplikuar për grant, nga programi evropian IPARD në bujqësi, por ka fituar kallëzim penal.
Pronari i një kompanie nga Kumanova pretendon se është mashtruar nga një punonjëse e Ministrisë së Bujqësisë.
Shabedin Mustafa në një prononcim për Alsat thotë se punonjëses ia ka dorëzuar të gjitha dokumentet në vitin 2018, dhe ajo i ka ofruar që t’ia përgatisë planin e biznesit? Për këtë i ka kërkuar një mijë euro. Ai ka pranuar dhe ka paguar.
Ajo i mblodhi dokumentet, dhe Mustafa u sigurua se do të merrte një grant të pakthyeshëm prej 400,000 eurosh. E njëjta punonjëse i kërkoi atij, t’i referonte të tjerët që ai i njeh, dhe që duan të marrin grant. Kështu edhe ka ndodhur. Por, më pas ai humbi kontaktin me të. Kjo zgjati deri në korrik të vitit 2020.
Më pas ajo i ka thënë të takoheshin, por jo në Ministri, por në një parking. Janë takuar dhe i ka dhënë vendim nga Agjencia për Mbështetjen e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, se kishte marrë grant prej 400 mijë eurosh.
Në dokument thuhet se gjysma e parave, 200 mijë euro, do të paguhen për katër ditë pune. Por, paratë nuk arritën kurrë. E njëjta gjë ndodhi me persona të tjerë, të cilëve punonjësja dyshohet se i ndërmjetësoi për grant. Të gjithë kontaktuan Agjencinë e Pagesave, por nga atje u thanë se dokumentet e tyre ishin të falsifikuara!
“Ka kohë që nuk kemi asnjë përgjigje nga institucioni (Agjencia për Mbështetjen Financiare të Zhvillimit Rural), dhe jemi mbledhur dhe kemi shkuar atje. Kemi qenë katër persona juridikë, që kemi aplikuar nëpërmjet kompanive, dy si individë. Edhe aty na thanë që nuk figurojmë askund, pra nuk jemi aplikantë. Nuk ka asnjë numër arkivi, asgjë”, u shpreh Shabedin Mustafa, shef i LAMIFORM – HOME.
Pas kësaj, Agjencia e ka denoncuar rastin në polici. Prokuroria ka hapur procedurë para hetimore për tre kallëzime penale ndaj autorëve të panjohur për mashtrim, falsifikim dhe shpërdorim detyre. Padi kundër punonjëses së Ministrisë ka ngritur personalisht edhe Shabedin Mustafa.
“Prokurori publik ka lëshuar urdhër në Ministrinë e Brendshme, që të ndërmarrë veprime të caktuara. Ende veprohet pas urdhrit”, thonë nga Prokuroria Publike.
Në denoncimin e Shabedin Mustafës thuhet se punonjësja e Ministrisë së Bujqësisë në mënyrë të kundërligjshme ka grumbulluar 15 mijë euro./ Alsat.mk