1.6 C
Tetovo
E shtunë, 30 Nëntor, 2024
BallinaLajmeKreshnik Bekteshi: Paga minimale pas Vitit të Ri do të jetë 18...

Kreshnik Bekteshi: Paga minimale pas Vitit të Ri do të jetë 18 mijë denarë

Nëse të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikës tregojnë se ka rritje të çmimeve të produkteve të tjera, ne do ta zgjerojmë listën e çmimeve të ngrira, tha ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.

Ai mbrëmë në televizionin Telma informoi se vendimi për ngrirjen e çmimeve, i cili u mor në seancën e fundit të Qeverisë, tashmë është publikuar në Gazetën Zyrtare dhe ka hyrë në fuqi.

Siç tha ai, inspektorët e Inspektoratit Shtetëror të Tregut do të fillojnë të bëjnë kontrolle për çmimet në markete.

“Gjatë kësaj jave presim informacione shtesë nga Enti Shtetëror i Statistikave edhe për produktet tjera, në pjesën e rritjes për muajin nëntor. Nëse të dhënat tregojnë dhe qytetarët e ndjejnë, ne do ta zgjerojmë listën. Këtu ndoshta do të përfshihen vezët, orizi, por edhe makaronat. Vendimi do të merret më së voni në seancën e ardhshme të Qeverisë. Nëse i kemi të dhënat të mërkurën dhe të enjten, Qeveria mund të mbajë seancë edhe para kësaj, tha ministri Bekteshi.

I pyetur nëse qeveria do të ofrojë ndihmë financiare për kompanitë që prodhojnë produkte ushqimore dhe që përfshihen nga vendimi për ngrirjen e produkteve bazë ushqimore, ministri theksoi se qeveria në vitet e fundit ka dhënë mbështetje të konsiderueshme financiare për bizneset.

Në tre/katër vitet e fundit, ekonomia është mbështetur më së shumti. Vitet e fundit ndahen 15 milionë euro në vit dhe deri më tani mbi 500 kompani kanë marrë mbështetje financiare për hapjen e vendeve të punës, futjen e produkteve të reja, fabrikat e reja prodhuese, shtoi Bekteshi.

Ai theksoi se deri në fund të vitit Qeveria duhet të miratojë Tarifën doganore ku pjesa më e madhe e tarifave doganore do të ulen në 0 për qind, ose do të jenë në të njëjtin nivel me Bashkimin Evropian, që do të thotë shpenzime më të ulëta për kompanitë.

Ministri shtoi se në të njëjtën kohë po rritet edhe paga minimale, e cila nga 9.000 denarë në vitin 2017, tani është mbi 15.000 denarë.

“Paga minimale pas Vitit të Ri do të rritet në 18.000 denarë. Pagat nuk qëndrojnë. Në vitin 2016 mesatarja ishte 22.000-23.000 denarë, ndërsa tani është 28.820 denarë dhe do të rritet vazhdimisht. Kemi rritje të pagave në arsim, shëndetësi, sektorin privat. Vetëm paga minimale është rritur 100 për qind në katër vite, diçka që nuk është bërë me vite”, tha Bekteshi.

Sa i përket çmimit të energjisë elektrike, ministri Bekteshi sqaroi se nuk priten goditje çmimesh.

Ai theksoi se TVSH-ja për energjinë elektrike nuk do të rritet dhe të gjitha kapacitetet për prodhimin e energjisë elektrike në vend janë vënë në funksion.

“REK Manastir punon me dy blloqe, TEC Oslomej funksionon plotësisht, akumulimet po përmirësohen, për dhjetë ditë do të funksionojë TEC Negotinë, sot tashmë është blerë mazut, termocentralet fotovoltaike po ndërtohen intensivisht nga investitorët shtetëror dhe privat”, shtoi Ministri Bekteshi.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments