Mos-rregullimi i shtratit dhe pjesëve anësore të lumit “Shkumbin” si dhe mos-pastrimi i rregullt i tij nga mbeturinat, shqetëson banorët e lagjes “Dardania”. Ata kanë frikë se lumi mund të del përsëri nga shtrati dhe të shkaktojë dëme të mëdha si në vërshimet e vitit 2015 kur kjo pjesë ishte më e dëmtuar. Komuna arsyetohet se po pastron lumin dhe akuzon qytetarët e papërgjegjshëm, nuk ka përgjigje për rregullimin e pjesëve anësore si dhe thotë se inspektorët nuk mund të jenë 24 orë në terren. Rregullimi i shtratit të lumit ishte premtim parazgjedhor i kryetares, shkruan Portalb.mk.
Mos-rregullimi i pjesëve anësore të lumit “Shkumbin” si dhe mos-pastrimi i shtratit të tij në mënyrë të rregullt, shqetëson banorët e lagjes “Dardania”. Sipas banorëve, komuna e ka pastruar herë pas here lumin por në mënyrë sipërfaqësore duke i lënë mbeturinat anash lumit andaj të njëjtat janë shtuar ende më shumë. Kështu, thonë ata, problemi me vite ka mbetur i pazgjidhur.
“Gjatë vërshimeve të vitit 2015, lagja “Dardania” ishte ndër më të dëmtuarat si pasojë e daljes së lumit nga shtrati. Që atëherë, lumi është pastruar, por jo-rregullisht ndërsa ende nuk janë rregulluar pjesët anësore. Problemi do të zgjidhet vetëm atëherë rregullimi do të bëhet siç është bërë në pjesën pas spitalit dhe siç është te pjesa e Xhamisë së Larme. Do të asgjësohen dhe mbeturinat dhe do të pamundësohet hedhja e të njëjtave si dhe prona publike do të çlirohet nga uzurpatorët” thotë Jusuf Mustafai, banor i lagjes “Dardania”.
“Problemi i mos-rregullimit të shtratit të lumit “Shkumbin” është kronik dhe me vite nuk zgjidhet. Si banor i lagjes “Dardania” jam realisht i dëmtuar gjatë vërshimeve të vitit 2015, dhe pas 6 vitesh ende nuk kemi asnjë ndryshim. Mos dhashtë zoti të ketë edhe ndonjë vërshim tjetër sepse realisht ne prapë do të jemi si lagje shumë të dëmtuar. Në terren nuk është ndërmarrë asgjë konkretisht për ta rregulluar këtë çështje.” thotë Besnik Mustafai, banor i lagjes “Dardania”.
Hedhja e mbeturinave dhe grumbullimi i tyre anash lumit janë duke e ngushtuar shtratin e tij, dhe banorët frikohen se mund të ndodhë ndonjë fatkeqësi tjetër natyrore.
“Situatën e rëndon edhe ndarja e një pjese të lumit për ujitje të tokave bujqësore që ndodh pak më poshtë prej lagjes Dardania. Lumi për ujitje duhet të ndahet me kanal të veçantë dhe kjo do të zgjidhte problemin e ujitjes së tokës bujqësore dhe nuk do të paraqiste rrezik për banorët.” thotë Mustafai.
Gjithashtu, ai thotë se kryetarja e komunës Teuta Arifi, e ka vizituar lagjen dhe është në dijeni për problemet e banorëve. Ajo u ka premtuar atyre se do të gjejë zgjidhje, por sipas Mustafait, nuk është ndërmarrë diçka konkrete.
Në pyetjen e Portalb drejtuar Komunës se pse nuk pastrohet shtrati i lumit rregullisht duke e pasur parasysh qe rimbushet shpejtë si dhe pse nuk pastrohet ana anësore të lumit, nga Komuna thanë se ata e pastrojnë lumin, por banorët e papërgjegjshëm e ndotin.
“Çdo vit ka procedurë të prokurimit publik ku destinohen mjete për pastrimin e shtratit të lumit. Megjithatë banorët e kanë parasysh që ndotja e lumit nuk vjen nga autoritetet komunale, por nga banore të papërgjegjshëm që materialet inerte, ndërtimore i hedhin në atë pjesë të shtratit të lumit.” u përgjigj Komuna e Tetovës.
Sa i përket rregullimit anësor të lumit me mure si te pjesa e spitalit, Komuna nuk ka dhënë asnjë përgjigje.
Rikujtojmë se në dhjetor Komuna e Tetovës kishte paguar 32 mijë euro për pastrimin e shtratit të lumit. Edhe pse nga Komuna e Tetovës thanë se kishte përfunduar pastrimi, kamera e gazetarit të Portalb.mk dhe banorët dëshmuan të kundërtën.
Më pas, Komuna e Tetovës në muajin mars përsëri nënshkroi një kontratë ne vlerë prej 32 mijë eurosh me kompaninë “Euro Invest-ing” për pastrimin e shtretërve të lumenjve në Tetovë me rrethinë.
Por sërish, gjendja në rrjedhën e lumit është kthyer në një kaos e mbushur me mbeturina, këtë e thonë pamjet e marra nga kamera e Portalb.mk më 5 korrik 2021.
Inspektorati ekologjik mbetet i padobishëm
Në pyetjen e Portalb se pse për ndotësit nuk ka asnjë dënim të shqiptuar si dhe nuk ka dënime as për ata që i djegin mbeturinat, Komuna arsyetohet se është e pamundur qe një inspektor të jetë 24 orë në një vend.
“Shqiptimi i gjobës duhet të bëhet në vendin e caktuar. Ose të fotografohen ndotësit dhe të denoncohen në inspektoratin komunal, seksionin për ekologji. Inspektorati është i obliguar në afat të caktuar të informojë parashtruesin e denoncimit, në të kundërtën mban përgjegjësi vetë udhëheqësi i lëndës ” u përgjigj Komuna e Tetovës.
Por, Jusuf Mustafai shprehet se personat që kanë hedhur mbeturina në shtratin e lumit janë denoncuar nga banorët te inspektorati i ambientit, si në telefon ashtu edhe në formë të shkruar por nuk ka pasur veprim konkret.
Portalb ka pyetur Komunën se pse ankesat e banorëve ndaj ndotësve, uzurpatorëve nuk janë
trajtuar seriozisht, ndërkaq nga Komuna u përgjigjen me pyetje shtesë:
“Çfarë nënkuptoni me pyetjen nuk janë trajtuar seriozisht?” thanë nga Komuna e Tetovës.
Edhe për këtë çështje nuk është hera e parë që Portalb shkruan. Edhe pse ky vend vazhdimisht ndotet nga banorët përreth kësaj lagje, nga komuna e Tetovës dhe nga Inspektorati Ekologjik ende nuk kanë dalë me një strategji për këtë problem. Portalb.mk me vite ka shkruar për fenomenin e mosgjetjes së autorëve të hedhjes dhe djegjes së mbeturinave në Tetovë. Qytetarët denoncojnë në “E-report” për arsye se numri i vendosur në uebfaqen e Komunës (0800-55-043) për denoncimin e këtyre rasteve, është jofunksional.
Plani urbanistik nuk implementohet në terren
Banorët e lagjes “Dardania” me nismë vullnetare kanë bërë përpunimin e planit detal urbanistik për lagjen. I njëjti pas një periudhe të gjatë është miratuar nga Komuna por nuk zbatohet në praktikë
“Apeli jonë deri te Komuna është që të ndihmojnë në këtë lagje vetëm duke e bërë punën e tyre. Kërkojmë që plani detal urbanistik për “Zonën 60” të implementohet në terren ashtu siç është në dokumentacion. Kështu do të zgjidhen problemet e banorëve për sa i përket lumit. Të gjitha këto janë pa kosto financiare” shton Mustafai.
Portalb ka pyetur Komunën pse plani urbanistik nuk implementohet në terren, nga Komuna thanë se do të kontaktojnë me udhëheqësen e urbanizmit që ka probleme shëndetësore dhe nuk është ne pune.
Megjithatë, përgjigje shtesë nuk morëm.
Rregullimi i shtretërve të lumenjve – premtim parazgjedhor
Rikujtojmë se në #Debatpërnime të organizuar nga Portalb.mk dhe partnerët Kallxo nga Kosova, Teuta Arifi tha se rregullimi i shtretërve të lumenjve është një prioritet i rëndësishëm, veçanërisht pas vërshimeve dhe fatkeqësive të vitit 2015.
E pyetur për mosrealizimin e premtimit, në një intervistë për Klan Maqedoni (21 qershor), Arifi tha se do të fillojë të punohet këtë verë.
“Kemi projekt të vlerës mbi 40 milion denarë për rregullimin e shtratit të lumit nga zona mbi Çarshinë e Epërme deri te zona e lagjes “Dardania”, ku nuk ka fare shtrat. Kjo është në radhë për t’u nënshkruar me TAV pas dy javësh dhe është diçka që do të fillojë të punohet këtë verë.” tha Arifi.
E pyetur se përse kaq vonë, pra në fund të mandatit të saj, Arifi theksoi se procedurat për të punuar dhe buxhetuar një projekt janë të gjata.
Qeveria e Maqedonisë së Veriut me 6 korrik 2021 ka miratuar projektet dhe ka përgatitur marrëveshjet për realizimin e tyre nga programi TAV.