-0.2 C
Tetovo
E shtunë, 23 Nëntor, 2024
BallinaLajmeDW / Lirohen të kthyerit nga Siria - 32 gra nën hetime

DW / Lirohen të kthyerit nga Siria – 32 gra nën hetime

Grupi i familjarëve që u kthyen nga Siria u liruan nga autoritetet kosovare. Katër pjesëmarrës në luftë po mbahen në arrest, për 32 gra u hapën hetime nën dyshimi për përfshirje në grupet terroriste .Janë liruar pothuajse të gjithë familjarët e luftëtarëve shqiptarë në Siri, që u kthyen në Kosovë në mënyrë të organizuar të shtunën me një avion ushtarak amerikan. Për 32 gra që ishin pjesë e grupit të të kthyerve prej 110 personash janë hapur hetime, nën dyshimet për përfshirjen e tyre në grupet terroriste, ka njoftuar Prokuroria Speciale e Kosovës. Prokurori i Prokurorisë së Posaçme, Sylë Hoxha tha se tashmë të kthyerit nga Siria janë liruar nga Qendra për Mbajtjen e të Huajve, që është në një fshat në periferi të Prishtinës dhe se ndaj një pjese prej tyre kanë filluar hetimet.

“Hetimet po zhvillohen për përfshirje në terrorizëm dhe do t’i marrim të gjitha veprimet për t’i zhvilluar ato. Hetimet do të vazhdojnë, pasi edhe më parë kanë qenë nën hetime, por ato janë pezulluar për shkak se kanë qenë jashtë vendit dhe për prokurorinë kanë qenë të paarritshme”, thotë prokurori Sylë Hoxha.

Sipas autoriteteve të Kosovës, të gjitha ata që kanë kryer vepra penale do të përgjigjen para drejtësisë, ndërsa të tjerëve do t’u ofrohen mundësi për rehabilitim dhe riintegrim, thotë Ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri.

Kosovo 110 kosovarische Staatsbürger kommen aus Syrien zurück (picture-alliance/AP Photo/V. Kryeziu)

“Këta qytetarë, gra dhe fëmijë kanë qenë viktima të papërgjegjësisë së personave, që për interesa çfarëdo qofshin i kanë shfrytëzuar duke ua mohuar të ardhmen pa vullnetin e tyre, duke i lënë më pasoja të mëdha, në raste të caktuara edhe viktima. Këto gra meritojnë rehabilitim për një jetë të qetë dhe këta fëmijë nëpër zona të konfliktit e kanë vendin në shkolla për t’u edukuar për të ardhmen e tyre”, tha ministri Abelard Tahiri, sapo të kthyerit arritën në Kosovë.

Të premten pas mesnate në Kosovës u kthyen 110 qytetarë që kanë qëndruar në vatrat e luftës në Siri në lindjen e mesme. Sipas policisë, në Kosovë u kthyen “katër luftëtarë”, që tashmë po mbahen në paraburgim, 32 gra dhe 74 fëmijë, përfshirë 9 fëmijë që kanë humbur prindërit në luftë”. Kthimi në Kosovë i këtyre 110 kosovarëve, ishte pjesë e një plani në koordinim të plotë me SHBA-së. Në Siri, sipas të dhënave të policisë vazhdojnë të qëndrojnë edhe 30 luftëtarë, 49 gra dhe tetë fëmijë.

Në bazë të statistikave të policisë, afro 400 qytetarë të Kosovës, kanë marrë pjesë në gjashtë vitet e fundit në konflikte në Siri dhe Irak përkrah grupit militant të “Shtetit Islamik”, ISIS. Thuhet se më shumë se 70 prej tyre janë vrarë.

Kosova që nga viti 2015 është rreshtuar përkrah aleancës globale kundër terrorizimit. Në po të njëjtin vit, Kuvendi i Kosovës miratoi edhe ligjin me të cilin u ndalon qytetarëve të Kosovës të marrin pjesë në konfliktet e armatosura jashtë territorit të vendit. Një valë masive e arrestimeve në Kosovë pati ndodhur dy vjet më parë, kur Prokuroria Speciale e Kosovës kishte hapur hetimet kundër 57 personave dhe të njëjtën kohë, kishte arrestuar mbi 40 nga ta që ishin pjesë apo kishin lidhje me shtetin islamik ISIS. 37 nga ta qenë dënuar.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments