Komuna e Tetovës, me në krye Teuta Arifin, vitin 2020 e ka përmbyllur me humbje shtesë prej 2 milionë eurove. Këtë gjendje e bën edhe më të mjerueshme sqarimi skandaloz i kryetares së Komunës, znj. Arifi, sipas së cilës këto mjete janë shfrytëzuar për punësime të reja – thuhet në një reagim nga Dega e Alternativas – Tetovë. Opinioni i gjerë, e sidomos qytetarët e Tetovës, ndjehen të ofenduar nga talljet e këtilla që ua bën Teuta Arifit në këtë kohë pandemie, duke qenë të bindur se kryetarja e Tetovës këto mjete të qytetarëve i ka harxhuar për punësime partiake e jo për zgjidhje të problemeve esenciale me të cilat ballafaqohen banorët e Tetovës për çdo ditë.
Komuna e Tetovës është e stërngarkuar me punësime partiake përderisa vazhdon të kryesojë në listën e borxheve dhe të keqmenaxhimit me mjete publike. Prandaj e pyesim publikisht Kryetaren se si është e mundur të rritet borxhi kur Qeveria miratoi mjete milionëshe për shlyerjen e borxheve të komunave? Ku përfunduan ato mjete? A ka shpjegim për këtë?
AlternAtivA – Dega Tetovë i apelon Komunës së Tetovës dhe kryetares së saj që mjetet e qytetarëve t’i përdorë në funksion të zgjidhjes së problemeve esenciale komunale dhe për lehtësimin e jetës së tyre, për sigurimin e ujit të pijshëm, asfaltimin e rrugëve dhe mbështetjen e qytetarëve për ta përballuar më lehtë pandeminë – thuhet në reagimin e Alternativës – Tetovë.