Qeveria në Shkup po përpiqet të mohojë historinë tonë të përbashkët dhe kjo është arsyeja pse kemi mosmarrëveshje bilaterale”. Kështu ka deklaruar ministrja e Jashtme e Bullgarisë, Ekaterina Zaharieva në një shkrim të saj për magazinën gjermane “Theeuropean.de.
https://www.theeuropean.de/ekaterina-sachariewa/makedonien-muss-geschlossene-vertraege-einhalten/
Zaharieva ka thënë se Bullgaria pranon vetëm se identitetin e ri maqedonas të formuar pas vitit 1945 ndërsa akuzoi drejtuesit e institucioneve të Shkup, për siç ka thënë “mohimin e historisë së përbashkët”.
“Një identitet i veçantë maqedonas u formua në gjysmën e parë të shekullit të kaluar. Bullgaria njeh këtë identitet të veçantë të Maqedonisë së Veriut dhe mbështet integrimin evropian. Heronjtë e zakonshëm kombëtarë, të tillë si Goce Dellçev, i cili si një maqedono-bullgar luftoi për pavarësi nga Perandoria Osmane në shekullin XIX, portretizohen vetëm si maqedonas. Versionet maqedonase të këngëve dhe romaneve të famshme bullgare janë rishkruar për të fshirë gjithçka bullgare në to. Një komision i përbashkët i historisë u krijua për të zgjidhur mosmarrëveshjen, por rezultate konkrete ende nuk ka”, ka shkruar Zaharieva.
Zaharieva ka akuzuar Shkupin për mos zbatimin e Marrëveshjes së Miqësisë të nënshkruar në vitin 2017, pastaj për fyerje të bullgarëve që jetojnë në Maqedoninë e Veriut por edhe për diskriminim të investitorëve bullgarë.
“Qytetarët e Maqedonisë së Veriut, të cilët e ndjejnë veten si bullgarë, ngacmohen dhe dënohen, dhe adresat e tyre zbulohen në rrjetet sociale. Shkupi po shtyn gjithashtu projektet e transportit të infrastrukturës për korridoret e rëndësishme ekonomikisht të financuara nga BE. 130 milionë euro janë humbur tashmë për ndërtimin e autostradës A1 midis dy vendeve tona, sepse Shkupi injoron kërkesat për fonde të BE-së” ka deklaruar Zaharieva.
Shefja e diplomacisë bullgare ka thënë se Maqedonia e Veriut do të jetë në gjendje të fillojë negociatat me BE vetëm kur Shkupi dhe Sofja kapërcejnë çështjet e hapura bilaterale.
Sofje në nëntor të vitit të kaluar bllokoi kornizën e nisjes së bisedimeve të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut me BE-në.
“Shpresoj se Republika e Maqedonisë së Veriut së shpejti do të jetë në gjendje të fillojë negociatat. Por, që të ndodhë kjo, ne duhet të kapërcejmë çështjet e hapura bilaterale midis dy vendeve tona. Kolegët në Shkup duhet të tregojnë se janë të përkushtuar për një angazhim afatgjatë për të ardhmen e tyre evropiane duke përqafuar vlerat evropiane, siç bëri Bullgaria 14 vjet më parë,” ka theksuar Zaharieva.
Ndërkohë, Maqedonia e Veriut nuk lëkundet nga qëndrimet lidhur me kontestin me Bullgarinë, pavarësisht qëndrimeve tanimë të qarta të Brukselit mbi nevojën e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve, në mënyrë që Shkupi të mund të nisë bisedimet për anëtarësim.
Nga qeveria thonë për Radion Evropa e Lirë, se Shkupi mbetet i hapur për negociata, por jo edhe për kushtëzime që kanë të bëjnë me identitetin, gjuhën dhe historinë maqedonase.