SHBA ndalon importin nga Xinjiang, ku mbahen rreth dy milionë myslimanë në kampe pune të detyrueshme nga KinaSHBA ndalon importin nga Xinjiang, ku mbahen rreth dy milionë myslimanë në kampe pune të detyrueshme nga Kina. Ky hap nënkupton se autoritetet amerikane do të përdorin fuqinë e tyre për të “ndaluar” produktet në të gjitha pikat e hyrjeve në territorin amerikan, ka njoftuar Agjencia amerikane për Dogana dhe Mbrojtje Kufitare.
Kjo agjenci ka thënë se ka hetuar dhe ka gjetur shenja të punës së detyrueshme, duke përfshirë kufizimin në lëvizje, kërcënimin, mosdhënie të pagave dhe abuzim me jetën dhe kushtet e punës.
“Departamenti për Siguri nuk do të tolerojë punë të detyrueshme në çfarëdo zinxhiri të furnizimit. Ne do të vazhdojmë të mbrojmë popullin amerikan dhe të hetojmë pretendimet kredibile për punë të detyrueshme, ne do të parandalojmë mallrat e prodhuara nga puna e detyrueshme, dhe u kërkojmë kinezëve që të mbyllin kampet dhe të ndalin shkeljet e të drejtave të njeriut”, ka thënë ushtruesi i detyrës së nën-sekretarit për Siguri Kombëtare, Ken Cuccinelli.
Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump tashmë ka bllokuar importet nga kompanitë individuale të lidhura me punë të detyrueshme në këtë rajon, i cili është furnizues global i pambukut.
Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione edhe ndaj zyrtarëve të Partisë Komuniste për rolin e supozuar të tyre në fushatë, të cilën SHBA-ja e konsideron të njëjtë me “skllavërinë moderne”.
Departamenti amerikan i Shtetit ka thënë se rreth 2 milionë ujgurë, kazakë dhe pjesëtarë tjerë të Xinjiang, kryesisht myslimanë, janë duke u mbajtur në qendra të ndalimit në Kinë.
Kina ka thënë se ky program u ofron mundësi të reja ujgurëve, mirëpo mbrojtësit e tyre e besojnë të kundërtën.
Qeveria e Kandasë dhe ajo e Britanisë së Madhe kanë thënë së fundmi se do të marrin hapa për të ndalur nëpër territoret e tyre mallrat e prodhuara si rezultat i punës së detyrueshme.