Në bazë të projeksionit të hulumtimeve të fundit që ka realizuar Qendra Maqedonase për Bashkëpunim Ndërkombëtar, gjysmëmilion e qytetarëve në Maqedoninë e Veriut, apo çdo të katërtit qytetar, i është kërkuar ryshfet për të realizuar ndonjë të drejtë nga institucionet e shtetit, përderisa rreth 400 mijë qytetarë kanë dhënë ryshfet të paktën një herë brenda vitit të kaluar për të realizuar një shërbim të caktuar në institucionet e shtetit.
Ekspertët e kyçur në luftën kundër korrupsionit, thonë se këto të dhëna duhet të paraqesin kambane alarmi për nivelin e korrupsionit në nivel të ulët, për sa i përket realizimit të shërbimeve adminstrative në organet e ndryshme të shtetit.
Korrupsioni në nivel të ulët ndryshe quhet edhe si korrupsion administrativ pasi në të shumtën e rasteve realizohet mes punonjësve në administratën e shtetit dhe qytetarëve.
Në shumë raste kur qytetarët kërkojnë shërbime më cilësore ose kërkojnë që shërbimet tu realizohen më shpejtë në institucionet e ndryshme të pushtetit vendor, institucionet shëndetësore, apo ato arsimore, e shohin si të natyrshme dhënien e një ryshfeti të vogël.
Ali Pajaziti, sociolog, për Radion Evropa e Lirë thotë se dhënia ryshfetit si akt i shëmtuar, për një pjesë të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut është shndërruar si kod apo kulturë e jetës.
“Kjo (dhënia e ryshfetit) është si rrjedhojë e ngathtësisë së institucioneve dhe perceptimit se shteti është një aktor i madh i cili vihet në shërbim të qytetarëve vetëm nëse atij (shtetit) i ofrohet diçka“.
“Faktikisht përfaqësuesit e shtetit, administrata, nënpunësit në institucione shtetërore, nuk janë ata që e kryejnë detyrën e tyre në mënyrën që duhet, në mënyrë etike, pra nuk e perceptojnë veten në shërbim të qytetarëve, por qytetarin e shohin si një kasafortë nga e cila mund të nxjerrin para kur të duan”, thotë Ali Pajaziti, ligjërues në Fakultetin e Administratës Publike në Universitetin e Evropës Juglindore.
Autoritetet zyrtare në Maqedoninë e Veriut kanë pranuar se korrupsioni në nivel të ulët (shërbimet administrative) është i pranishëm në shumë pore të institucioneve të vendit dhe si i tillë paraqet problem serioz.
Zëvendëskryeministri për çështje të korrupsionit, Lupço Nikollovski ka nënvizuar se tashmë është e fshehtë publike se korrupsioni si e quan ai i “imët” është prezent, veçanërisht kur bëhet fjalë për përshpejtimin e shërbimeve administrative në një afat sa më të shkurtër.
Nuk mundet që një funksionim i këtillë të na bëhet si diçka normale në shtet, nuk dëshiroj të jetoj në një shtet të këtillë, nuk dua të participoj në të, pa kontribuar që të ndryshohen gjërat, është e domosdoshme që gjërat të ndryshohen nga rrënjët”, ka Nikollovski.
Në bazë të hulumtimit që ka realizuar Qendra Maqedonase për Bashkëpunim Ndërkombëtar, 80 për qind e qytetarëve të anketuar, mosefikasitetin e sistemit gjyqësorë, si dhe mungesën e kontrollit të administratës, e kanë apostrofuar si faktor kyç që ka kontribuuar në shkallën e lartë të korrupsionit.
Sllagjana Taseva nga organizata joqeveritare Transparency International, që në fokus ka luftën kundër korrupsionit, për Radion Evropa e Lirë thotë se duhet gjetur mekanizma që institucionet të obligohen që t’i realizojnë detyrimet e tyre në kohë, sepse vetëm në këtë mënyrë do t’i mbyllet gryka korrupsionit përmes dhuratave, pagesës së drekave, darkave apo edhe pushimeve dhe parave në zarfe për kryerjen e shërbimeve në një afat kohor sa më të shkurtër.
“Nuk ekziston një sistem adekuat i kontrollit, pastaj dhënies së shpërblimit për obligimet e kryera në mënyrë efikase, por edhe dënimit në rastet kur administratorët nuk kanë kryer detyrimet, dhe në mungesë të këtyre mekanizmave, qytetarët disi e kanë kuptuar si diçka normale që të paguajnë , përkatësisht japin ryshfet për të marrë shërbime të caktuara nga institucionet e shtetit”, thekson Taseva.
Në bazë të hulumtimit të realizuar nga Qendra Maqedonase për Bashkëpunim Ndërkombëtar, 4 prej 5 qytetarëve të anketuar vlerësojnë se gjykatësit dhe prokurorët janë më të korruptuarit. Menjëherë pas tyre, përkatësisht 77 për qind e qytetarëve të anketuar, vlerësojnë se, deputetët, ministrat, kryetarët e partive politike, kryetarët e komunave mbeten profesione që janë më të korruptuara.