Asnjë ndërmarrje nuk është paraqitur për ta rrënuar objektin ilegal te qendra tregtare “Mavrovasja”. Kështu ka dështuar edhe thirrja e dytë e Komunës së Çairit për të zgjedhur ndërmarrje për ta rrënuar objektin.
Se si do të veprohet më tutje pasi për herë të dytë dështon tenderi, nga Komuna njoftojnë se do të vendosin të hënën. “Sektori dhe Komisioni për prokurime të hënën do të diskutojnë se si do të vazhdojnë më tej”, sqaruan nga Komuna e Çairit.
Ndërkohë, Ministria e Punëve të Brendshme ka informuar sot se ka dyshime bazë se kush është investitori i mundshëm i objektit pa leje te QT “Mavrovasja”. Në lidhje me këtë, MPB i ka dërguar raport edhe Prokurorisë Publike , ku e ka informuar edhe për të gjitha masat dhe aktivitetet që ka ndërmarrë në lidhje me këtë rast si dhe dëshmitë adekuate që ka mbledhur dhe ka indikacione për atë se kush mund të ndërtojë objektin.
Ndryshe, Komuna e Çairit më 6 gusht ka shpallur tender të ri për largimin e objekteve pa leje. Pasi që në shpalljen e parë nuk u paraqit asnjë operator ekonomik, komuna për radhë të dytë kërkon kompani që do të rrënojë objektin pa leje te QT “Mavrovasja”. Afati për dorëzimin e ofertave është deri më 13 gusht në orën 12.
Investitori që ka nisur ndërtimin e objektit pa leje para QT “Mavrovasja” mbetet akoma i panjohur. Pas kontrolleve të kryera nga ana e inspektorëve, është konstatuar se ndërtimet kryhen në mënyrë ilegale, megjithatë Komuna e Çairit, “nuk ka arritur që të konstatojë se kush qëndron pas këtyre ndërtimeve.”
Aktvendimi për largimin e objektin nga ana e inspektorëve është lëshuar më 10 korrik, megjithatë gjatë kontrolleve të kryera dhe tentimeve për ta dorëzuar aktvendimin, inspektorët kanë takuar në objekt vetëm punëtorët, të cilët nuk kanë marrë përgjegjësi për ta pranuar aktvendimin.
Më 22 korrik Komuna e Çairit shpalli kërkesën për rrënim të objektit në dy gazeta ditore, duke i lënë hapësirë investitorit që 8 ditë pas përfundimit të shpalljes, të largojë vetë objektin. Megjithatë,ai nuk është shfaqur akoma dhe në këtë mënyrë komuna është e obliguar që të rrënojë objektin.
Në lidhje me këtë rast, edhe Ministria e Punëve të Brendshme ka ndërmarrë aktivitete për të konfirmuar nëse ka elemente të veprës penale dhe për këto aktivitete ka informuar Prokurorinë Publike. Ndërkohë, Prokuroria ka hapur procedurë parahetimore dhe së bashku me policinë, kanë kërkuar nga Kadastri informata për pronësinë e parcelave para QT “Mavrovasja”.
Objekti në fjalë po ndërtohet në lokacion ku ka qenë i pozicionuar më herët lokali “Fontana”, i cili muaj më parë u përfshi nga zjarri. Zjarri përfshiu gjithçka duke lënë vetëm skeletin e strukturës metalike të lokalit afër përmendores së Hasan Prishtinës.