Shpërthimi i djeshëm në kryeqytetin e Libanit, Beirut, ishte lajmi kryesor në mediat ndërkombëtare, jo vetëm për bilancin tragjik, ku të paktën 80 persona kanë gjetur vdekjen dhe qindra të tjerë ndodhen në gjendje kritike, por edhe për përmasat vërtet shokuese të valës shkatërruese, shkruan A2 CNN.
Me një forcë të ngjashme me një tërmet 3.3 të shkallës Rihter, shpërthimi u ndje deri në Qipro dhe shkatërroi ose dëmtoi godina në një rreze prej 10 kilometrash.
Shkaqet mbeten të mistershme. Kryeministri libanez Hassan Diab foli dje për një sasi të konsiderueshme nitrati të amonit që ndodhej nën sekuestro prej vitesh në disa magazina afër portit, rreth 2750 tonelata, por disa ekspertë amerikanë me eksperiencë në shpërthime të këtij tipi nuk duken të bindur se kjo lëndë është shkaku kryesor i tragjedisë.