Si shenjë e revoltës për shkak të “shkeljes së së drejtës për votë të lirë”, Aleanca e Shqiptarëve dhe Alternativa do të marshojnë nga parku i Çairit drejt ndërtesës së Bashkimit Evropian në Shkup sonte në orën 19:00
Marshi është paraparë të nisë nga parku i Çairit dhe të përfundojë para zyrave të KSHZ-së dhe selisë së BE-së.
Sekretari i përgjithshëm i Aleancës për Shqiptarët Arben Taravari tha se për këtë veprim janë të detyruar, pasi për 18 vite po abuzohet me votën dhe vullnetin politik të shqiptarëve.
“Ideja është se drejtësinë në Maqedoni nuk mund ta kërkosh në Institucione, ne jemi të detyruar të dalim në rrugë ta kërkojmë drejtësinë. Keni parasysh ka ndodhur një vjedhje brutale e zgjedhjeve e cila po përsëritet këto 18 vjet…. të abuzohet me votën dhe vullnetin e lirë të shqiptarëve është krim politik. Këto njerëz, banda që mbushin sot kutitë, nesër do të jenë të lirë dhe do t’i zhvasin njerëzit tanë, do të bëjnë rrehje dhe shitje dhe narkotik tek fëmijët tanë dhe do të bëjnë kriminalitete të ndryshme dhe njëkohësisht do të jenë të mbrojtur prej BDI-së”- deklaroi Arben Taravari.
Për BDI-në, zgjedhjet kanë qenë demokratike. Zëdhënësi i integristëve Bujar Osmani, pas takimit me ambasadorin e BE-së Zhbogar ka thënë se “Në rrethana të komplikuara nën presion të sfidave nga pandemia, kishim zgjedhje korrekte dhe të lira në të cilat qytetarët dëshmuan pjekuri politike”.
KSHZ dhe Gjykata Administrative ditë më parë i hodhi poshtë të gjitha ankesat e partive politike për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 15 korrikut.