Ky është njëri nga ekipet e Komisionit të Posaçëm në qytetin e Tetovës, i cili duke zbatuar protokollin e veçantë, u mundëson të drejtën e votës nga shtëpia, personave të prekur nga Covid-19 dhe atyre që janë në izolim. Kryetari i këtij komisioni, mjeku Astrit Neziri, deklaron se ekipi i tij, i përbërë nga gjithësej 7 persona do ua mundësojë të drejtën e votës 35 personave të paraqitur në qytetin e Tetovës. Sipas Nezirit, votimi ka filluar në kohë.
‘Në orën 7 në mëngjes i gjithë ekipi ka qenë në dispozicion, ka pranuar materialin zgjedhor, kështu që prej atij momenti është filluar procesi në bazë të protokolleve të caktuara për votim. Deri në këto momente ka shkuar shumë në rregull’,tha Neziri.
Sekretari i Komisionit Zgjedhor Komunal, Nazmi Dauti, deklaron se procesi i votimit është realizuar sipas të gjitha rekomandimeve, nga dy ekipe, njëri prej të cilëve operon në qytetin e Tetovës dhe tjetri në rrethinë.
‘Në proces janë dy grupe të Këshillave Zgjedhor të Posaqëm, ku në përbërje kryetari është mjek, ndërsa dy anëtarë të tjerë janë personel mjekësor, poashtu ka të propozuar anëtarë nga partitë politike në pozitë dhe opozitë. Janë të ndarë në dy grupe, një grup e zhvillon këtë proces brenda qytetit të Tetovës, ndërsa grupi i dytë është në fshatrat e komunës së Tetovës, duke përfshirë këtu fshatrat e Malësisë dhe fshatrat përreth’,tha Dauti.
Sipas të dhënave, në afatin e paraparë zgjedhor që ishte data 8 korrik, deri në orën 24, tek Komisioni Komunal i Zgjedhjeve, për votim kanë dorëzuar kërkesë gjithësej 69 persona të infektuar me virusin Covid 19 apo persona që kanë pasur aktvendim të plotëfuqishëm nga Inspektorati Shëndetësor Sanitar. Komisioni komunal i Zgjedhjeve, pas shqyrtimit të dokumentacionit, nga 69 kërkesa, pranoi 55.