6 C
Tetovo
E premte, 29 Nëntor, 2024
BallinaLajmeAli Ahmeti për Die Presse: Erdhi koha që ta udhëheqim vendin

Ali Ahmeti për Die Presse: Erdhi koha që ta udhëheqim vendin

Die Presse: Partia juaj përpiqet që pas zgjedhjeve parlamentare më 15 korrik një shqiptar etnik të bëhet kryeministëri i pari i Maqedonisë së Veriut. A është kjo realiste?

Ali Ahmeti: Jam i sigurtë se kjo do të ndodhë. Ne shqiptarët jemi qytetarë të barabartë të Maqedonisë së Veriut dhe kemi kontribuar shumë. Tani është momenti historik për të udhëhequr vendin. Është koha për një kryeministër shqiptar. Ne nuk e bëjmë këtë për ta ndarë vendin, por për ta bashkuar atë. Asgjë e keqe nuk do të ndodhë me shtetin. Kjo nuk ndodhi kur për herë të parë një shqiptar u be Ministër i Mbrojtjes dhe një tjeter Ministër i Punëve të Brendshme dhe kur një shqiptar u zgjodh President i Parlamentit. Presidenti i Parlamentit arriti të ngërthejë dallimet masive midis dy partive kryesore maqedonase. Një kryeministër i pavarur nga partitë politike është hapi tjetër.

Die Presse: Për të emeruar kryeministrin sëpari juve ju duhet një partner koalicioni. Dhe partitë e mëdha maqedonase VMRO dhe Social Demokratët nuk janë entuziastë për idenë tuaj.

Ali Ahmeti: Është zhgënjyese të shikosh panikun total të partive maqedonase. Nuk duhet të jetë kështu – veçanërisht me Social Demokratët. Vendi ynë nuk ka nevojë për politikë hegjemonike. Unë pres që kolegët e mi politikë maqedonas ta mirëpresin këtë ide. Ne duhet të vendosim vlerat evropiane së bashku.

Die Presse: Por cila nga partitë maqedonase do të koalicionojë me ju dhe do të pranojë një kryeministër nga partia juaj?

Ali Ahmeti: Kjo do të vendoset në zgjedhjet e 15 korrikut. Nëse ideja jonë mbështetet nga qytetarët, partitë maqedonase do të duhet të pranojnë një kryeministër shqiptar.

Die Presse: As të gjitha partitë e tjera shqiptare nuk e mbështesin idenë tuaj për një kryeministër shqiptar.

Ali Ahmeti: Por 70 deri 80 përqind e shqiptarëve dhe komuniteteve më të vogla etnike e mbështesin këtë ide. Dhe unë mendoj se më 16 korrik, një ditë pas zgjedhjeve, të gjitha partitë do të reflektojnë për qëndrimin e tyre. Atëherë do të hapim së bashku një kapitull të ri.

Die Presse: 19 vjet më parë u përmbyll Marrëveshja e Ohrit, e cila duhej të sillte më shumë të drejta për shqiptarët në Maqedoni. Në këmbim, ushtria çlirimtare shqiptare në Maqedoni UÇK, e udhehequr nga ju, ka ndaluar luftimet. Si e shihni situatën e shqiptarëve sot?

Ali Ahmeti: Pjesët normative të marrëveshjes janë miratuar, por duhet të bëhet më shumë për ta zbatuar atë. Ne kemi nevojë për zbatimin e plotë të ligjeve të gjuhes. Ka më shumë hapësirë ​​për përfaqësim më të mirë të shqiptarëve në institucionet qeveritare. Dhe ka më shumë hapësirë, që partitë maqedonase të ua sjellin më afër frymën e Ohrit popullatës maqedonase. Marrëveshja e Ohrit është më shumë se një copë letër që ka çuar në siguri. Tani është koha për të zbatuar të gjitha standardet evropiane, përfshirë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Die Presse: Ju flitni për luftën kundër korrupsionit. Ish-kryeministri Nikolla Gruevski u dënua për korrupsion dhe iku në Hungari. Partia juaj ka qenë prej kohësh partneri i tij i koalicionit. Çfarë mendoni ju për këtë?

Ali Ahmeti: Prandaj kërkojmë të bëhet një kontrolle e plotë e të gjithë politikanëve, gjyqtarëve dhe prokurorëve. Institucionet duhet të jenë plotësisht transparente ndaj qytetarit. Ne nuk duam sistem gjyqësor që i shërben politikës.

Die Presse: Rusia dhe Kina po fitojnë gjithnjë e më shumë ndikim në Evropën Juglindore. A po bën BE-ja mjaftueshëm për ta kundërshtuar këtë?

Ali Ahmeti: Qëllimi ynë është të bashkohemi në BE. Dhe ideali ynë janë Shtetet e Bashkuara të Evropës. Ne jemi evropianë dhe meritojmë të bëhemi qytetarë të BE-së. Me pranimin e Ballkanit Perëndimor, Unioni do të bëhej më i fortë. Në këtë mënyrë ne gjithashtu mund të kundërshtojmë politikën ruse dhe kineze në Evropën Juglindore. BE-ja ka dhënë shumë kontribute pozitive në fazat më të rëndësishme të këtij vendi: ajo ka ndihmuar në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit. Ajo na ndihmoi të sqarojmë çështjet e hapura me fqinjët tanë, siç është mosmarrëveshja për emrin me Greqinë. Por unë do të doja të shoh më shumë përkushtim të BE-se ndaj Ballkanit. Por me emërimin e një kryeministri që nuk i përket shumicës etnike, Maqedonia e Veriut gjithashtu mund të dërgojë sinjal se ne jemi gati për një Evropë shume etnike.

Die Presse: Në Kosovë, Presidenti Hashim Thaçi, ish drejtori politik i UÇK-së, përballet me akuza për krime lufte. Çfarë mendoni ju në lidhje me këtë?

Ali Ahmeti: Ushtria e sundimtarit serb Slobodan Milošević ka kryer gjenocid kundër popullit të Kosovës, UÇK-ja iu ka përgjigjur sulmit. Në këtë rast është tërhequr një paralele midis kriminelit dhe çlirimtarit. Unë mendoj se kjo nuk është në rregull.

linku https://www.diepresse.com/5838102/ali-ahmeti-es-ist-zeit-fur-einen-albanischen-premier-in-nordmazedonien

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments