Koço Kokëdhima Deklarimet e kryetarit të Bashkimit Demokratik Shqipëri, Ali Ahmeti, se shqiptarët e Maqedonisë së Veriut vuajnë nga sindromat e principatave e fiseve dhe rreth 300 mijë votues ndahen në 5-6 parti, duke ulur ndjeshëm numrin e mandateve në parlament, tregon krizën e faktorit politik, që cenon përfaqësimin real dhe mbrojtjen e interesave të shqiptarëve.
Fatkeqësisht, shqiptarët e Maqedonisë së Veriut po shkojnë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 15 korrikut edhe më të përçarë se në zgjedhjet e mëparshme.
Të ndara e në luftë ndaj njëra-tjetrës, partitë shqiptare asnjëherë nuk kanë fituar numrin e duhur të deputetëve, edhe pse shqiptarët përbëjnë 35-40 për qind të popullsisë. Ato duhet të kishin së paku 46-50 deputetë dhe jo 20 sa kanë në Parlamentin me 120 vende të Maqedonisë së Veriut apo më pak se kaq sa parashikojnë sondazhet.
Faktori politik shqiptar në Maqedoninë e Veriut duhet të bashkohet rreth një platformë të vetme, të ketë një strategji të përbashkët veprimi; jo me 5-6 lista kandidatësh, por një të përbashkët; të motivojë dhe mobilizojë sa më shumë votues shqiptarë, duke kërkuar pastrimin e listës zgjedhore; të inkurajojë diasporën e shumtë shqiptare për të votuar dhe më e rëndësishmja të eleminojë rrjedhjen e votës dhe llogaritjes së saj për subjektet e tjera politike maqedonase.
Me prani reale në parlament dhe në një zë të vetëm, shqiptarët do të kenë më shumë përfaqësim dhe vendimarrje për të drejtat e tyre në Maqedoninë e Veriut. Bashkimi bën fuqinë.