Sot, para ndërtesës së Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, kandidati për Kryeministër të parë shqiptar, Naser Ziberi, mbajti konferencë për shtyp në të cilën iu drejtua të gjithë qytetarëve të vendit, një javë para ditës historike të zgjedhjeve, në të cilën qytetarët do të kenë mundësinë të japin votën e tyre për realizimin e ëndrrës së kahmotshme, për një kryeministër shqiptar, për barazi dhe për shanse më të mira për të gjithë.
“Një javë më parë, unë kam prezantuar planin tim të veprimit për 100 ditët e mia të para si Kryeministër i parë shqiptar, këtu, në të njëjtin vend, përpara ndërtesës së Qeverisë. Njëzetë e pesë masa shumë konkrete që do t’i zbatoj me prioritetin më të lartë që nga dita e parë në detyrë.
Njëzetë e pesë masa shumë konkrete, të cilat do të përmirësojnë jetën e të gjithë qytetarëve, jo vetëm të shqiptarëve” – potencoi Ziberi, duke shtuar se “me Gjykatën e Lartë të Barazisë do të ndërtojmë një institucion të ri, i cili do të sigurojë drejtësi të barabartë dhe do të hetojë të gjitha rastet e dyshuara të diskriminimit etnik në sallën e gjyqit, në administratën shtetërore, nga autoritetet, në shkolla dhe në punë”.
Ai gjithashtu nënvizoi se me planin e tij për rilindje të barabartë të ekonomisë, do të krijojë mijëra vende të reja pune dhe do të arrihet barazi edhe në kompanitë private. “Taksa zero për të ardhurat për punonjësit nën 35 vjeç do të rrisë pagat, por gjithashtu do t’i motivojë kompanitë të punësojnë të rinj.
Zëvendësimi shtetëror prej 50 përqind i kontributit social për punësime të reja, që rrisin përfaqësimin e barabartë, do të krijojë vende pune, veçanërisht për shqiptarët dhe do të largojë pengesat etnike. Grantet 20,000 Euro për fermerët e rinj, do të ruajnë bujqësinë si një nga shtyllat më të rëndësishme të ekonomisë sonë” – theksoi disa prej zotimeve të programit të tij Ziberi.
Mes tjerash ai theksoi edhe zotimin se do të sigurojë 20.000 euro hua shtetërore për shtëpi të parë me qëllim që të rinjtë ta ndërtojnë të ardhmen e tyre këtu. “Do të sigurojmë që secila familje në këtë vend, të ketë të paktën një të punësuar dhe të ardhura të sigurta”, vazhdoi Ziberi duke shtuar se “do të japim pensione sociale për të gjitha gratë, të cilat kurrë nuk kanë punuar zyrtarisht, por kanë kontribuar aq shumë në ndërtimin e shtetit tonë dhe shoqërisë sonë. Sepse ju mund ta shihni vlerën e një shoqërie nga mënyra sesi ajo i trajton gratë, fëmijët dhe pleqtë e saj”.
“Mbetet një javë për të bindur sa më shumë njerëz për këtë ide të Kryeministrit të parë shqiptar, për një jete më të mirë për të gjithë ne. Me një mbështetje të fortë të qytetarëve shqiptarë, por edhe me mbështetjen e maqedonasve, dhe të bashkësive të tjera etnike, ne do ta bëjmë këtë realitet- shtoi Ziberi, duke informuar se menjëherë pas kësaj konference për shtyp, do të fillojë rrugëtimin e tij për të vizituar të gjitha fshatrat dhe qytetet e Maqedonisë së Veriut, me ç’rast do të informohet rreth nevojave dhe ideve të qytetarëve si dhe rreth këndvështrimit të tyre ndaj masave që ai i ka planifikuar për 100 ditshin e parë”.
“Më 16 korrik, do të kthehem në ndërtesën e Qeverisë, për t’i zbatuar të gjitha këto ide, për të përmirësuar standardet e jetesës dhe për të sjellë barazi për të gjithë qytetarët. Ftoj çdo qytetar të Maqedonisë së Veriut, të bashkohet me ne në këtë udhëtim për një jetë më të mirë” – përfundoi fjalën e tij para mediave Ziberi.