Bartësi i listës për deputetë në njësinë 2 i koalicionit “Tash është koha”, Afrim Gashi, njëherazi edhe kryetar i Alternativës, në kuadër të fushatës elektorale është takuar me bashkëvendasit e tij në Hasanbeg të Shkupit, e më pas ka vazhduar takimet në fshatrat e Kumanovës, Llojan, Vaksincë, Opajë dhe Likovë, informojnë nga zyra për shtyp e kësaj partie.
Gjatë këtyre takimeve, siç shkruhet në njoftim, me banorët e kësaj ane u fol mbi situatën socio-ekonomike me të cilat ballafaqohen shqiptarët e vendit, tash e një kohë të gjatë.
“Keq qeverisja e gjatë e partisë në pushtet, tashmë gati 18 vite qeverisje, na ka sjell në një situatë të brishtë dhe të rëndë. Paramendoni, shqiptari i rëndomtë po kërcënohet me punësim! Këta pushtetarë, neve na sollën në situatë që nga kërkesat tona kombëtare dhe intelektuale, sot të jemi në një gjendje të rëndë ekonomike dhe sociale, duke luftuar për nevoja biologjike të mbijetesës. Sot patriotizmi dhe akti më i lartë patriotik për shqiptarët është t’u sigurojmë kushte të mira elementare për ekzistencë dhe mbijetesë. Akti më i lartë patriotik është nëse sot arrijmë që t’a ndalim një të ri mos të ik nga vendlindja”, tha Gashi, informon zyra për media e Alternativës.
Ai para banorëve të Likovës, kërkoi që më 15 korrik të jenë vet qytetarët që me votën e tyre t’i thonë po ndryshimit.