11.8 C
Tetovo
E enjte, 28 Nëntor, 2024
BallinaLajmeRMV do të diskutojë për hapjen e kufijve pa kufizime, ja në...

RMV do të diskutojë për hapjen e kufijve pa kufizime, ja në cilat shtete të rajonit mund të udhëtoni pa test PCR

Maqedonia e Veriut më 17 qershori hapi të gjitha kufijtë në vend, por me zbatimin e masave aktive. Përkatësisht, vendi lejon hyrjen e qytetarëve të RMV-së dhe të huajve me qëndrim të rregulluar të përkohshëm ose të përhershëm në vend, me kusht që të kenë test të vlefshëm PCR (të bërë nga hunda dhe fyti), jo më i vjetër se 72 orë nga data e lëshimit të testit. Ata më pas marrin një Urdhër dhe plotësojnë një deklaratë të vetë-izolimit shtëpiak prej 14 ditësh.

Personat që kalojnë transit nga Maqedonia e Veriut, apo turistët, obligohen që të largohen nga vendi brenda 5 orëve.

Por, një vendim i këtillë i Qeverisë, nuk u prit mirë në opinon. Pas reagimeve të shumta  të mërgimtarëve, sektorit të biznesit dhe agjencive turistike, të cilët kërkuan heqjen e testit dhe karantinës, Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, paralajmëroi se Komisioni i Sëmundjeve Infektive do të diskutojë për hapjen e kufijve të Maqedonisë së Veriut pa karantinë dhe pa test PCR, njofton Portalb.mk.

Përkatësisht, pritet që të hiqet masa e izolimit prej 14 ditësh për qytetarët që hyjnë në Maqedoni të Verut, të cilëve përveç kësaj, sipas masave në fuqi, u kërkohej që të kishin testin negativ për koronavirus, jo më të vjetër se 72 orë.

Ndërkohë, vendet e tjera të rajonit kanë filluar me hapjen e kufijve që nga fillimi i muajit qershor, por qytetarët e Maqedonisë së Veriut nuk mund të hyjnë në të gjitha vendet pa test negativ, ndërkohë një pjesë  e vendeve të rajonit, akoma nuk ka hequr ndalesën për qytetarët e vendit.

Kosova ka rihapur nga 1 qershori kufijtë tokësorë që ishin mbyllur qysh më 13 mars, për të frenuar përhapjen e koronavirusit. Autoritetet vendosën që të gjithë personat që hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës, në vend të testimit të obliguar për COVID-19, për ata që hyjnë do të jenë kontrollet nga ekipet mjekësore në pikat kufitare.

Shqipëria ka rihapur të gjithë kufijtë tokësorë dhe ka mundësuar lëvizje të lirë të njerëzve nga 1 qershori,. Me qëllim të rikthimit të turizmit, Shqipëria ka hapur plazhet dhe hotelet po ashtu nga 1 qershori. Personat që hyjnë në Shqipëri nuk kanë asnjë detyrim për test negativ PCR për koronavirus.

Greqia ka paralajmëruar se do t’i rihap kufijtë tokësorë me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, më 1 korrik, e jo më 15 qershor siç u tha fillimisht dhe do të funksionojnë vetëm disa vendkalime, prej të cilave vetëm Evzoni (Bogorodicë), drejt Maqedonisë së Veriut.

Edhe pse në Greqi zyrtarisht ka filluar sezoni turistik, kufijtë tokësorë me Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë dhe Turqinë, do të mbeten të mbyllura prej 15 deri 30 qershor të këtij viti, me përjashtim të udhëtimeve absolutisht të domosdoshme zyrtare, ndërsa megjithatë kufiri me Bullgarinë do të mbetet i hapur.

Serbia nga 1 qershori ka rihapur kufijtë për vendet e rajonit. Të gjitha kufizimet janë hequr si për shtetasit e saj, ashtu edhe për të huajt. Nëse dëshironi të udhëtoni në Serbi, nuk ashte e nevojshme të keni një test PCR negativ për KOVID-19. Qeveria gjithashtu e hoqi masën e karantimit.

Mali i Zi para disa ditëve, miratoi vendim me të cilin, nga shtetet e rajonit, shtetasit e Maqedonisë së Veriut edhe Serbisë e kanë të ndaluar hyrjen në Mal të Zi, ndërsa qytetarët e Kosovës, Shqipërisë dhe Bosnjë e Hercegovinës nuk mund të shkojnë, pa prezantuar para autoriteteve, një test negativ për virusin korona. Ky vendim i Qeverisë malazeze, ka hyrë në fuqi mesnatën e 21 qershorit.

Qeveria e Malit të Zi, përmes një harte ka ndarë në tri grupe kufizimet e reja: qytetarët që mund të hyjnë pa asnjë kufizim, qytetarët që duhet të posedojnë test negativ për koronavirus dhe shtetet, qytetarët e së cilave e kanë të ndaluar të hyjnë në Mal të Zi.

Bosnje dhe Hercegovina i ka rihapur kufijtë e saj për qytetarët e vendeve fqinje, Serbisë, Malit të Zi dhe Kroacisë prej më 1 qershor. Kufijtë janë të hapura për të gjithë qytetarët e vendeve fqinje, pavarësisht nga arsyet e vizitës.

Bullgaria ka ndaluar hyrjen e shtetasve të huaj në territorin e Bullgarisë prej më 1 qershor. Nga ndalesa përjashtohen shtetasit bullgarë, shtetas të Shteteve Anëtare të Bashkimit Evropian (BE), Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës Veriore, Zonës Shengen, Republikës së Serbisë dhe Republikës së Maqedoninë së Veriut. Kalimi transit lejohet vetëm në rastet kur garantohet largimi i menjëhershëm nga Republika e Bullgarisë. Nëse personi ka për qëllim banimin në Bullgari, atëherë i njëjti detyrohet që të shkojë në karantinë prej 14 ditëve.

Autoritetet kroate kanë dhënë një njoftim zyrtar që kufijtë janë të hapur për shtetasit e huaj që hyjnë në vend duke rezervuar paraprakisht akomodimin e tyre. Por, udhëtarët të cilët tentuan të hyjnë në Kroaci nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina gjatë dy ditëve të fundit, pa pasur arsye valide të mbështetur me dokumentacion, janë kthyer nga kufiri në vendin e vet. Kjo, siç ceket, është rezultat i ashpërsimit të masave në vendkalimet kufitare me Serbinë dhe BeH-në, me të cilat janë të lidhur shumica e rasteve të reja të qytetarëve në Kroaci në javën e fundit.

Hyrja në Republikën e Sllovenisë u lejohet shtetasve të huaj me kushtin që ata të paraqesin prova në gjuhën sllovene, angleze ose italiane të një testi laboratorik molekular për praninë e COVID-19 që tregon rezultate negative për jo më i vjetër se tre ditë. Edhe nëse qytetari i huaj nuk paraqet një provë të tillë, atyre do t’u jepet hyrje në Republikën e Sllovenisë nëse temperatura e trupit të tyre është nën 37.5 ° C dhe nuk ka indikacione të qarta të një infeksioni të traktit të sipërm respirator (kollë, teshtitje, gulçim) e frymë).

Bashkimi Evropian planifikon që t’i hapë kufijtë e saj për shtetasit e Maqedonisë së Veriut prej 1 korrikut, ka njoftuar para disa ditëve eurokomesari për zgjerim, Oliver Varhejli në Twitter.

“Komisioni Evropian rekomandon që më 1 korrik t’i shfuqizojë kufizimet për udhëtim të shtetasve të Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, duke e pasur parasysh se situata epidemiologjike në këto vende është e ngjashme ose më e mirë se ajo në Bashkimin Evropian”, shkruajti Varhjeli.

Kufijtë e të gjitha vendeve të Bashkimit Evropian janë mbyllur që nga mesi i marsit, me qëllim të parandalimit të shpërndarjes së virusit korona. Pasi që vetëm se ka filluar sezoni turistik, disa shtete kanë filluar t’i hapin kufijtë për turistët, ndërkaq disa të tjerë vazhdojnë me masat kufizuese, por me lehtësime për vendet fqinje.

Megjithatë  lajmet për hapjen e kufijve vazhdimisht përditësohen. Informatat zyrtare në lidhje me transportin dhe kushtet për hyrje në shtetet e Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor gjenden edhe në ueb-faqen e BE-së.

LEXO: COVID-19, shtetet në të cilat deri më tani (s’)mund të udhëtoni

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments