Ministria e Sistemit Politik dhe Marrëdhënieve Ndër-bashkësive është institucioni më jo-transparent i financuar nga shteti . Një raport i Qendrës për Komunikime Civile thotë se nga 89 institucione dhe komuna, ministria e drejtuar nga Sadula Duraki ka zero përqind transparencë, dhe është në pozitën e fundit, sepse nuk ka publikuar asnjë raport të vetëm për shpenzimin e parave të marra nga arka e shtetit. Alsat kërkoi përgjigje nga Ministria e Sistemit Politik, por prej atje na u tha fillimisht se nuk kishin pasur shpenzime këtë vit, që më pas të premtojnë se do të dorëzojnë raport për shpenzimet në Alsat të hënën.
Për shkak të pandemisë në punë shkojnë tre-katër persona dhe nuk kemi shpenzime -thonë nga Ministria për sistem politik.
Ministrja e financave Nina Angellovska e cila sot prezantoi një mjet të ri për përmirësimin e transparencës te institucionet, tha se në seancat e Qeverisë e ka promovuar faqen e internetit “financa të hapura” dhe ajo tani pret jo vetëm nga Duraku, por nga të gjithë shfrytëzuesit buxhetor të punojnë me transparencë më të madhe.
Unë gjithsesi se mund ta ngrit këtë çështje dhe unë jam për transparencë në çdo aspekt. Por, dua të them se edhe mbështetja juaj është e mirëseardhur për përforcimin e transparencës, përmes ndjekjes me kujdes – u shpreh Nina Angellovska, ministre e financave.
Sipas raportit, me 97.9% më transparente është Ministria e mbrojtjes. Ministria e financave është e dhjeta. Nga komunat, më transprente është komuna e Velesit me 94.4%, ndërsa vlerësim shumë të dobët për transparencë kanë komuna e Zelenikovës 4.3%, Staro Nagoriçane 10%, Petroveci, Centar Zhupa dhe Likova janë me nën 15% të transparencës në punën e tyre.