Pavarësisht se numri i personave të infektuar me Covid-19 rritet çdo ditë në Tetovë e rajon, masat për mbrojtje në tregje thuajse nuk respektohen fare.
Përse nuk mbani maskë?
“Mos filmo lëre atë punë ti”, u shpreh i revoltuar një shitës.
As blerësit nuk i respektojnë masat. Ose nuk mbanin fare maska, ose i mbanin në qafë.
“Jo bre çfarë rreziku nuk ka rrezik po duhet me e mbajt “.
Përse nuk e mbani maskën si duhet që të mos infektoheni?
“Mirë është mirë, super është maska”.
“Në rrugë jemi, në rrugë thonë mos e mbani maskën”.
“Përse nuk mbaj maskë, sepse nuk jam i sëmurë”.
“Duhet të mbahet për sigurinë tonë për të mirën tonë”.
“Ashtu është ndonjëherë njeriu gabon”.
“Ja në dorë e kam po më zihet fryma prej saj”.
Disa qytetarë vijojnë të këmbëngulin se virusi nuk ekziston.
“Jo s`jemi në rrezik, nuk ka virus kot është kjo”.
Nuk mungonin as grumbullimet e tre e më shumë personave.
A e dini se nuk duhet të grumbulloheni kështu?
“Po po e dimë. Po rrallë shihemi për atë, s’jemi pa moti”.
Nga Shtabi i krizës i komunës së Tetovës, apelojnë për respektim maksimal të masave si nga shitësit ashtu edhe nga blerësit, si mënyrë e vetme për të penguar përhapjen e virusit. Nga policia njoftojnë se deri më tani 214 persona janë gjobitur për mos mbajtjen e masave ndërsa 15 kafene e restorante për mos respektim të protokolleve.
Bashkim Sulejmani