6.2 C
Tetovo
E enjte, 28 Nëntor, 2024
BallinaLajmeBlerim Sejdiu: Banorët e Zhelinës u dënuan padrejtësisht

Blerim Sejdiu: Banorët e Zhelinës u dënuan padrejtësisht

Rritja e numrit të të infektuarve me virusin Covid 19, ka bërë që banorët e disa komunave të Pollogut të qëndrojnë të mbyllur për 80 orë rresht në karantinë

Urim HASIPI

Tetovë, 7 qershor – Edhe pse gjatë dhjetë ditëve të fundit nuk kishte asnjë person të infektuar me virusin Covid 19, megjithatë edhe banorët e Komunës së Zhelinës ishin të dënuar që të qëndrojnë në karantinë 80 orë. Kryetari i Komunës së Zhelinës, Blerim Sejdiu nuk është pajtuar me këtë vendim të Komisionit për sëmundje infektive. “Kohëve të fundit nuk kishim asnjë rast me virusin Covid 19, por edhe ne jemi dënuar që të qëndrojmë në karantinë për shkak se në komunat përreth nuk janë respektuar rekomandimet. Ne si banorë të Komunës së Zhelinës ishim të kujdesshëm, apeluam për më shumë kujdes dhe qytetarët na dëgjuan, kurse në fund u dënuam” thotë kryetari i Komunës së Zhelinës, Blerim Sejdiu.

Qytetarët e kësaj komune janë të mendimit se duhet që të ketë orë policore, ndërsa ka edhe prej tyre që mendojnë se nuk duhet orë policore. “Na maltretojnë gati se 3 muaj me këtë sëmundje, kurse në komunën tonë nuk kemi asnjë rast, por edhe nuk kemi dëgjuar se ka vdekur dikush. Padrejtësisht na mbajnë në orë policore”, thotë një banorë i kësaj lagje.

Mbi 24 mijë banorë të kësaj komune ishin të detyruar që të qëndrojnë të mbyllur bashkë me banorët e komunave të Tetovës, Tearcës, Jegunocit , Bërvenicës dhe Bogovinës. Por, edhe pse në këtë komunë nuk ka raste me virusin Covid 19, situata më e rëndë është në Komunën e Tearcës, jo shumë larg Komunës së Zhelinës. Në këtë komunë me mbi 20 mijë banorë, situata paraqitet shumë e rëndë. Në Komunën e Tearcës kanë ndërruar jetë dy persona si pasojë e virusit Covid 19, që të dy nga fshati Sllatinë. Banorët e fshatrave të Komunës së Tearcës shumë pak kanë respektuar masat kundër këtij virusi. Në shumë fshatra lokalet punojnë dhe shërbehen qytetarët me kafe, por rrallë mund të vërehet ndonjë person me maskë dhe doreza. Banorët e kësaj komune shumë pak besojnë se ekziston ky virus edhe pse tashmë dy persona kanë vdekur. “Nuk ka virus, është vetëm një manipulim që bëhet për të na larguar vëmendjen nga situata e përgjithshme në vend. Nuk mbajmë maska sepse nuk besojmë se ka virus” thotë një banor i kësaj komune.

Kryetari i Komunës së Tearcës, Isen Asani ka apeluar që qytetarët të respektojnë maksimalisht rekomandimet e institucioneve përkatëse. “Edhe pse motra ime nuk ka vdekur nga koronavirusi për shkak se ka patur sëmundjen e diabetit, ne si familje nuk kemi pranuar që të pranojmë ngushëllime me prezencë fizike, por vetëm përmes telefonit. Kërkoj që qytetarët të jenë më të kujdesshëm , që të mos qëndrojnë në grupe sepse situata mund të bëhet edhe më dramatike” pohon Asani.

Por, krahas apeleve në këtë komunë, banorët shumë pak u kushtojnë rëndësi masave, ndërsa jo zyrtarisht mësohet se për të mbajtur në kontroll situatën janë angazhuar edhe forca shtesë të policisë dhe armatës. Në karantinë 80 orëshe qëndruan banorët e Komunës së Bërvenicës, Jegunocit, Tearcës, Tearcës, Bërvenicës dhe Bogovinës, kurse nuk qëndruan banorët e Komunës së Gostivait, Vrapçishtit dhe Mavorvës-Rostushës. Javën e fundit çdo ditë ka patur mbi dhjetë raste të të infektuarve me koronavirusin, ndërsa pikërisht rritja e numrit ka bërë që Komisioni për sëmundje infektive të dënojë rreth 200 mijë banorë që të qëndrojnë në karantinë. (koha.mk)

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments