Nga shtëpia me kompjuterë dhe laptopë personal, kështu do t’i realizojnë provimet studentët e Universitetit të Tetovës. Nëse vërehen lëvizje gjatë provimit, studentëve mund t’u kërkohet edhe të kryejnë incizim prej 360 shkallëve nga dhoma ku qëndrojnë, e nëse shkëputet lidhja do të abstenohen.
Këto janë disa nga masat të cilat i ka caktuar Universiteti i Tetovës për të realizuar provimet online dhe kjo ka ngjallur pakënaqësi te disa studentë të shkencave ekzakte.
“Do të thotë duke u nisur nga fakti se kushti i parë ishte ta kemi një laptop ose një kompjuter, ose një tablet, që shumica nga ne i kemi ndjekur ligjëratat nga telefoni, jo nga laptopi. Nuk mundemi as edhe si t’i sigurojmë këto në orë policore laptopët, kurse të hënën kemi provime”, tha një studente e Biokimisë.
Kanë reaguar edhe studentët nga Kosova, të cilët problem më të madh e paraqesin rrjetin e dobët të internetit.
“Sistemi online nuk është aplikuar më herët. Në Ballkan dihen problemet me internetin, shpesh të cilin e kanë pasur edhe profesorët gjatë ligjëratave online të cilat i kemi mbajtur gjatë pandemisë. Këto nuk i morën parasysh, sepse sytë nuk ua shohin telashet e studentëve”, tha një student i Psikologjisë.
Nga Associacioni i Studentëve të Mjekësisë në Maqedoni – Komiteti Lokal i Tetovës kanë shprehur pakënaqësi edhe për realizimin e provimeve me prani fizike, pasi siç thonë ata, statistikat e fundit me Kovid-19 janë alarmante dhe shkuarja e studentëve në fakultet mund të sjellë në përkeqësimin e situatës. Ata propozojnë shtyrje të afatit të provimeve
“Ne rekomandojmë që provimet të shtyhen për muajin korrik (me shpresë që deri atëherë gjendja do të përmirësohet) dhe brenda kohe të mendohet për një zgjidhje alternative (Platformë për mbajtje të provimeve në mënyrë online), në rast se deri në korrik gjendja nuk përmirësohet”, reagojnë nga Asociacioni i Studentëve të Mjekësisë.
Nga ky asociacion alarmojnë edhe për mënyrën se si do të realizohet transporti publik i studentëve, pasi siç thonë shumica prej tyre vijnë nga vendet jashtë qytetit të Tetovës.
Për të gjitha këto ankesa kontaktuam persona përgjegjës të Universitetit të Tetovës, por nga atje të pakapshëm për të dhënë deklaratë.
Nga ana tjetër, provime online janë duke realizuar edhe universitetet tjera publike në vend, por me përjashtime. Fakulteti Ekonomik provimet do t’i realizojë me prani fizike, ndërkaq ai i Juridikut në formë online. Për fakultetin e mjekësisë përjashtime do të bëhen për lëndët të cilat kërkojnë demonstrim në spital dhe laboratori.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka miratuar dekret, i cili mundëson që provimet në universitet mund të mbahen në prani fizike të studentëve, por nuk mund të sjellë vendim për të gjithë pasi ata janë të pavarur në sjelljen e vendimeve.