Lëvizja Besa pranon se ka marrë ftesë nga Ministria e Drejtësisë për t’u përfshirë në negociata për Ligjin për Prokurorinë Publike, gjegjësisht të ardhmen e Prokurorisë Speciale.
“Vlerësojmë se raporti i Qeverisë ndaj nesh si aktor politik në vend nuk ka qenë korrekt. Me qëllim që të sigurojë 2/3 e votave flet me VMRO dhe BDI por jo me ne duke na anashkaluar. Tani që s’gjetën marrëveshja me VMRO-DPMNE na kthehen neve. E kemi thënë mendimin tonë se Prokuroria Speciale Publike nuk i plotësoi pritshmëritë që si opinion dhe parti politike i kemi pasur. Me rezultate të pakta dhe drejtësi selektive në raport me lëndët që ka ndjekur vlerësojmë se me këto ndryshime asgjë në thelb nuk do të ndryshohet. Si mund të presim që tani me përfshirjen e PSP-së në Prokurorinë e Rregullt mund të ndryshojë ndonjë gjë. Çështja tani është më shumë politike. Ne do t’i themi vërejtjet tona. Për ne është shumë e rëndësishme që të marrim garanci se qëllimet që kishte PSP-ja në fillim të plotësohen. Do të propozojmë që Specialja të vazhdojë punën kështu si është me kapacitet të plotë, t’i jepen afate të reja dhe materialet e përgjuara të shfrytëzohen si dëshmi.”
Ftesa për partitë shqiptare vjen pasi kanë ngecur dhe nuk dihet akoma nëse do të vazhdojnë negociatat me opozitaren VMRO-DPMNE.