Donald Trump ka paralajmëruar sot protestuesit e grupit të të drejtave të njerëzve me ngjyrë ‘Black Lives Matter’ se do të përballen me ‘qentë më të egër’ dhe ‘pushkët më famëkeqe’ nëse kalojnë gardhin e Shtëpisë së Bardhë.
Duke folur disa orë pas protestave që përfshinë dhe qendrën administrative të SHBA, Uashingtonin, presidenti komentoi në rrjetet sociale: “Punë e mirë nga efektivët e Shtëpisë së Bardhë. @SecretService. Ata ishin jo vetëm totalisht profesionalë por dhe gjakftohtë. Unë isha brenda, pashë çdo lëvizje. Isha totalisht i sigurtë. Protestuesit le të bërtasin e të shajnë sa të duan por kushdo që do të kalojë masën, nuk do ta marrë vesh se nga i erdhi. Linja e parë është zëvendësuar me agjentë të rinj. Ishin shumë të organizuar, askush nuk arriti t’i afrohet gardhit”, shkroi mes të tjerash Trump.
Trump, rezidenca e të cilit konsiderohet si një nga vendet më të mbrojtura të botës, foli pasi protesta të dhunshme janë zhvilluar në dhjetra qytete të SHBA që prej vdekjes së Floyd të hënën.