Kompania e medias sociale “Twitter” i ka shtuar një paralajmërim një prej postimeve të Presidentit Donald Trump lidhur me protestat në Mineapolis, duke thënë se postimi shkel rregullat e kësaj platforme për shkak se “mbështet dhunën”, pohim që Shtëpia e Bardhë e hodhi poshtë.
Zoti Trump, një përdorues i shpeshtë i “Twitterit”, u përplas me kompaninë e medias sociale në fillimit të javës, kur kjo e fundit vendosi të kontrollojë vërtetësinë e fakteve në dy postime të Presidentit në Twitter që lidheshin me votimin nëpërmjet postës.
Postimi i tretë i presidentit, ndaj të cilit “Twitteri” vendosi një paralajmërim, niste me një mesazh mbështetjeje për guvernatorin e Minesotë. Ka tre ditë që në këtë shtet po zhvillohen protesta të dhunshme pas vdekjes së George Floyd, një afrikano-amerikani gjatë së arrestimit nga policia.
Pamje filmike të bëra më pas publike, tregojnë zotin Floyed të shtrirë në tokë ndërsa polici i mbante gjurin mbi grykë, dhe ai dëgjohet të thotë se nuk po merrte dot frymë.
Zoti Trump shkruante ndër të tjera në postimin e tij në “Twitter” mbi prostat e dhunshme që pasuan, se “kur nisin plaçkitjet, nisin të shtënat”.
Twitteri nuk e hoqi postimin, duke shtuar se kishte arritur në përfundimin se mund të ishte në interesin e publikut që të qëndronte aty dhe se këtë e bën vetëm për postimet nga zyrtarë e qeveritarë të zgjedhur.
Në një reagim të Shtëpisë së Bardhë po në “Twitter” thuhej se presidenti nuk mbështeste dhunën me postimin e tij, por qartësisht e dënonte atë.
Të enjten, zoti Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv që vinte nën shënjestër “Twitterin” dhe kompani të tjera të medias sociale, vendim që sfidon mbrojtjen ndaj detyrimeve ligjore që këto kompani kanë për materialet e postuara nga përdoruesit e tyre, e cila ka shërbyer si themel për fjalën e lirë në internet.