Kompania e makinave me qira, e cila është një simbol në të gjithë botën në këtë sektor, Hertz, ka aplikuar për faliment pas goditjes së madhe që ka marrë ky lloj biznesi si pasojë e pandemisë.
Negociatat me kreditorët dështuan të japin një rezultat të mirë për kompaninë emblemë. Bordi i kompanisë aprovoi të premten kërkesën për mbrojtje falimenti në një gjykatë të Delaware në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Njësitë e biznesit në Europë, Australi dhe Zelandë të Re nuk përfshihen në këtë kërkesë, thotë kompania. Aksioneri më i madh i kompanisë është miliarderi Carl Icahn i cili kontrollon 39% të aksioneve.
Pjesa më e madhe e parave që gjeneron Hertz vijnë si pasojë e makinave të marra me qira nëpër aeroporte. Me bllokimin e fluturimeve ajrore, goditja për kompaninë ka qenë mjaft e madhe.
Kompania ka një borxh prej 19 miliardë dollarësh dhe 38 mijë punonjës në të gjithë botës. Hertz është një prej kompanive më të mëdha të “fshira” nga pandemia. Kërkesat për të aplikuar kapitullin 11 për faliment në Shtetet e Bashkuara janë rritur ndjeshëm, dhe në krye të listës janë shitës me pakicë, restorantet si dhe kompanitë e naftës dhe gazit. Kompanitë ajopre deri tani e kanë shmangur një fat të tillë si pasojë e ndihmës nga qeveria prej miliarda dollarësh.