Raporti mujor i muajit prill për të drejtat e njeriut në Republikën e Maqedonisë së Veriut nga Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut tregon se punëtorët janë një nga kategoritë më të rrezikuara gjatë përballjes me koronavirusin. Muajin e kaluar, Komiteti i Helsinkit regjistroi 85 raporte për shkelje të të drejtave të punës, ku përfshihen afërsisht 920 punëtorë, raporton Meta,
“Shumë punëtorë kanë raportuar se punëdhënës të caktuar, përkundër të gjitha rekomandimeve dhe masave, e kanë keqpërdorur gjendjen e jashtëzakonshme dhe ua kanë anuluar kontratat e punës grupeve të tëra të punonjësve. Shumica e punonjësve nuk kanë pranuar njoftime me shkrim fare, por punëdhënësit thjeshtë i kanë çregjistruar nga Agjencia për punësim”, thuhet në raportin e Komitetit të Helsinkit.
Ata kanë regjistruar 18 raporte për afro 77 punëtorë të pushuar nga puna gjatë këtij muaji, por shumë më shqetësuese është numri i 265 punonjësve, të cilët kanë qenë të detyruar të nënshkruajnë marrëveshje për të ndërprerje të kontratave të punës.
“Në këtë mënyrë, atyre iu pamundësuar çdo qasje në mekanizmin e mbrojtjes dhe ata mbetën të luftojnë vetëm për ekzistencë në margjinat e shoqërisë. Një goditje tjetër për ta është pamundësia për të realizuar kompensim monetar në rast papunësie, sepse punësimi i tyre është ndërprerë me marrëveshje”, theksojnë nga Komiteti i Helsinkit.
Në gjysmën e dytë të muajit, krahas zvogëlimit të raportimeve për pushim nga puna, është rritur numri i ankesave të punonjësve, pagat e të cilëve nuk ishin paguar ose ishin ulur madeje dhe për 50 përqind, ku punëdhënësit në mënyrë të paligjshme iu kanë referuar institutit “forcë madhore”.
“599 punonjësve nuk u janë paguar ose pagat e tyre janë ulur këtë muaj. Duke mos ua paguar pagat dhe kontributet gjatë dy muajve të fundit, një numër i madh i punonjësve dhe familjet e tyre kanë mbetur pa sigurime shëndetësore, në një nga momentet më kritike për shëndetin e njerëzve në vendin tonë”, thuhet në raport.
Në prill, numri i ankesave që kanë të bëjnë me gjuhën e urrejtjes në mediat sociale është rritur ndjeshëm, në gjithsej 112 kallëzime të verifikuara. Shumica e tyre kanë të bëjnë me përkatësinë etnike dhe përkatësinë politike, përkatësisht 61 përqind dhe ato janë vërejtur në kulmin e pandemisë dhe numrit të zmadhuar të qytetarëve të infektuar (duke u rritur nga 8 deri në 22 prill). Reagimet në mediat sociale, të ngjashme me ato të Marsit 2020, kanë të bëjnë me orën policore, si dhe reagimit të publikut për masat të cilat i ndërmerr Qeveria.
Përveç të drejtave të punës dhe gjuhës së urrejtjes, në raport janë përfshirë analizat për të drejtat e punëtoreve të tekstilit, barazinë gjinore dhe personave me pengesa.
Nina Angelovska, Ministrja e financave në Maqedoninë e Veriut vlerëson se masat për subvencionimin e pagave të punëtorëve me 14,500 denarë po jep rezultatet e para, pasi ka filluar kthimi i punëtorëve në punë.
“Ka të dhëna se punëdhënësit kanë kthyer rreth 500 punonjës në punë për të shfrytëzuar masën”, deklaroi Angelovska.