Trajko Veljanoski nuk pranoi ndryshim të rendit të ditës dhe të kalohet në pikën për zgjedhje të kryetarit, deklaroi kryeministri Oliver Spasovski, i cili dëshmoi në seancën e sotme për “organizuesit e dhunës së 27 prillit në Kuvend”.
Spasovski në fillim tha se në periudhën janar-qershor 2017 ka qenë deputet në Kuvend dhe sekretar teknik i LSDM-së.
“I propozova kryetarit të atëhershëm të Kuvendit, Trajko Veljanoski të ndryshohet rendi i ditës dhe të kalohet në pikën për zgjedhje të kryetarit, por kjo nuk u pranua”, deklaroi Spasovski.
Theksoi se për propozimin ka pasur mbështetjen e mbi dhjetë deputetëve, ndërsa kryetari i Kuvendit, sipas Rregullores është dashur ta vendosë propozimin e tillë në votim.
Në pyetjen e prokurores VIllma Ruskovska, çfarë aksionesh ka ndërmarrë partia në atë periudhë, Spasovski tha se kur ka filluar dhuna në Kuvend para selisë së LSDM-së janë tubuar një grup i madh i qytetarëve.
“E vetmja gjë që ndërmorëm unë dhe kryetari i partisë, është se nuk lejuam që njerëzit e tubuar të shkojnë drejt Kuvendit që të mos shkaktohej problem më i madh”, deklaroi Spoasovski.
Spasovski, theksoi se partitë funksionojnë në mënyrë hierarkike, kështu që nuk mund, së paku në partinë e tij, të mos dihet diçka që ndërmerret.
Në pyetjen nga i akuzuari Trajko Veljanoski, nëse ka pasur koordinim më 27 prill për çështjen për ndryshim të rendit të ditës, Spasovski tha se është biseduar në koordinim për çështjen e njejtë dhe se edhe atëherë ka refuzuar, por se propozimin e ka parashtruar edhe në mbledhje.
Procesin gjyqësor e udhëheqë gjykatësi Ilia Tërpkov, ndërsa përfaqësues i aktakuzës është Villma Ruskovska.
Të akuzuar në këtë lëndë janë ish-kryetari ni Kuvendit, Trajko Veljanoski, ish-ministrat e Transportit dhe Arsimit, Mile Janakieski dhe Spiro Ristovski, si dhe ish-drejtori i DSK-së, Vlladimir Atanasovski.
Ata ngarkohen se kanë kryer vepër penale “rrezikim terrorist të rendit kushtetues dhe sigurisë”.
Sipas PTHP-së, të dyshuarit në fillim të vitit 2017 kanë përgatitur dhe realizuar plan me qëllim për të pamundësuar pranim-dorëzim të qetë të pushtetit. Për atë qëllim, i organizuan edhe materialisht i mbështetën protestat masovike, së pari para KSHZ-së, e më pas edhe protestat e lëvizjes “Për Maqedoni të përbashkët” të cilat kulminuan me hyrjen e dhunshme në Kuvend më 27 prill.
Në hetim u përfshinë edhe ish-kryeministri Nikolla Gruevski dhe ish-zbuluesi Nikolla Boshkovski, por procedura për ta është ndërprerë derisa nuk janë të kapshëm për organet e ndjekjes.