Komisioni për Sëmundje Ngjitëse i propozon Qeverisë lehtësim gradual të masave restriktive, përkatësisht duke filluar nga kjo javë një pjesë e bizneseve të fillojnë me punë. Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, informoi se sot do të diskutohet edhe rreth orës policore, por shtoi se nuk ka ndonjë propozim për shkurtim të saj.
Komisioni për sëmundje ngjitëse propozon që të fillojnë me punë Qendrat për edukim dhe trajnim, seminaret për të rritur, organizimi i konferencave, Autoshkollat dhe qendrat për testime, trajnimet sportive individuale në ambient të hapur, tenisi, bastoret sportive dhe të tjera përmes sporteleve, qendrat e mbyllura tregtare, por pa kafenetë dhe restorantet, si dhe qendrat e rehabilitimit për shurdh-memecët. 17:58 Sa i përket orës policore do të diskutohet në seancën e Qeverisë – deklaroi Venko Filipçe, ministër i shëndetësisë.
Lehtësimi i masave kufizuese parashikohet të bëhet në tre harqe kohore, ndërsa secilës prej tyre do t’i paraprijë një monitorim i detajuar i situatës me virusin në vend.
Më 18 maj parashikohet të nisin me punë
-Kafenetë dhe restorantet me shërbim
-Trajnimet sportive kolektive në natyrë
Më 25 maj parashikohet të nisin me punë
-Lojërat e Fatit në kazino
-Trajnimet në ambiente të mbyllura dhe pishina
-Palestrat dhe klubet e fitnesit
-Objektet hotelerike
Hapja e çerdheve do të vendoset pasi të përfundojë testimi i të gjithë të punësuarve. Ky skrining që do të përfshijë rreth 2 mijë të punësuar në çerdhe, do të fillojë nesër dhe pritet të finalizohet brenda një jave. Më pas do të vendoset për hapjen e këtyre objekteve dhe masat që duhet të respektohen.
Kufijtë do të mbeten të mbyllur deri sa shtetet të harmonizojnë masat për lëvizjen e qytetarëve dhe kriteret që duhet të plotësojnë.
Absolutisht të gjithë kolegët e rajonit kanë të njëjtin vlerësim dhe duhet të koordinohemi mirë se a do të ketë ndonjë kriter për shtetasit tanë nëse vizitojnë shtetet e tjera, apo shtetasit e huaj të hyjnë në Maqedoni, se vallë a do t’u kërkohet ndonjë analizë, testime apo dëshmi tjetër. Diskutimet rreth kësaj sillen. Në mënyrë që të jemi të përgatitur që kur te rekomandohet hapja e kufijve të jemi të përgatitur. 25:29 Karantina vazhdon të mbetet në fuqi – tha Venko Filipçe, ministër i shëndetësisë.
Ministri Filipçe tha se pasqyra momentale e gjendjes me virusin në vend është tregues se na presin ditë të mira, pasi 72% nga numri i përgjithshëm i të infektuarve janë shëruar. Megjithatë ai tha se që kjo të vazhdojë qytetarët duhet të respektojnë maksimalisht masat e Qeverisë. Gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 10 raste të reja me COVID-19, 5 të shëruar dhe një viktimë. Nga 1674 raste, 377 janë aktiv.