Për 12 muajt e vitit 2019, Shqipëria ka shënuar një rritje të numrit të ekstradimeve dhe letër porosive që kanë ardhur nga jashtë vendit, kryesisht pas bashkëpunimit me 6 shtete, mes të cilave, Italia dhe Mbretëria e Bashkuar.
Në kuadrin e zgjerimit dhe forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional me agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit, duke pasur për udhërrëfyes marrëveshjen me Eurojust-in, e cila hyri në fuqi më 1 Nëntor 2019, Prokuroria e Përgjithshme ka ndërhyrë në hetime të përbashkëta.
Këto hetime kanë pasur për synim rritjen cilësore, thellimin dhe intensifikimin e hetimeve për zbulimin dhe goditjes të veprimtarisë kriminale brenda vendit dhe të lidhjeve të tij jashtë vendit.
Në këtë kuadër, kjo drejtori ka komunikim të vazhdueshëm edhe me Oficerët Ndërlidhës Policorë të vendeve si Belgjika, Holanda, Franca, Mbretëria e Bashkuar, Zyrën Ndërlidhëse Policore Italiane, të vendeve Nordike, etj.
Me qëllim shkëmbimin e informacionit lidhur me veprimtaritë e grupeve kriminale që shtrijnë aktivitetin me lidhjet e tyre jashtë vendit dhe nxitjen e krijimit e grupeve hetimore të përbashkëta për hetimin dhe goditjen e veprimtarisë së tyre brenda dhe jashtë vendit”, Prokuroria e Përgjithshme ka zbatuar masat për rritjen e skuadrave të përbashkëta hetimore.
Madje për këtë në vitin 2019 është nënshkruar një marrëveshje e re ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë për ngritjen e grupit të përbashkët hetimor për çështjet penale të regjistruara për veprën penale “Organizata kriminale me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike”.
Kjo skuadër e ngritur do të realizojë aktivitetet e miratuara në marrëveshjen e përbashkët me mbështetjen e Eurojust-it. Gjithashtu, është nënshkruar një shtojcë për zgjatjen, në një periudhë shtesë prej 12 muajsh, e një marrëveshjeje ekzistuese, për ngritjen e një grupi të përbashkët hetimor, e nënshkruar fillimisht në vitin 2018.
Bashkëpunimi në mënyrë të ngushtë në kuadër të ngritjes së Skuadrave të Përbashkëta Hetimore (specifikisht me Italinë), për vepra penale të kryera nga organizata kriminale (janë kryer një sërë veprimesh hetimore nga të dyja palët, si arrestime personash, kontrolle banesash, vendosje pajisjesh GPS nëpër makina, remotizim i përgjimeve, marrje në pyetje), etj.
Të dhënat e tjera statistikore për marrëdhënit juridiksionale me autoritetet e huaja për vitin 2019, janë si vijon: 180 ekstradime nga jashtë; 157 ekstradime për jashtë; 625 letërporosi nga jashtë; 639 letërporosi për jashtë.
Përveç sa më sipër, me mbështetjen e Misionit EURALIUS V në Prokurorinë e Përgjithshme është ngritur grup pune për hartimin dhe është në prag të përfundimit udhëzimi i përgjithshëm në lidhje me bashkëpunimin gjyqësor ndërkombëtar në fushën e krimit kibernetik.
Në përmbushje të funksioneve kushtetuese e ligjore, e konsiderojmë të zbatuar rekomandimin e rezolutës, për faktin se, të dhënat dhe angazhimet institucionale të prokurorisë, evidentojnë tregues në rritje të bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë dhe autoritetet gjyqësore të huaja në të gjithë fushat e bashkëpunimit ndërgjyqësor dhe forcimin
e besimit ndaj institucionit të prokurorisë nga partnerët në marrëdhëniet juridiksionale me jashtë.
Pas Marrëveshjes së Bashkëpunimit Shqipëri-Eurojust, në vështrimin institucional kërkohet dhe synohet, lehtësimi dhe intensifikimi i mëtejshëm i bashkëpunimit me autoritetet gjyqësore të vendeve anëtare dhe me vendet e treta, përfshi vendet e rajonit.
Për të shkëmbyer informacion të ndërsjelltë lidhur me veprimtaritë e grupeve kriminale brenda vendit që shtrijnë aktivitetin me lidhjet e tyre jashtë vendit, ashtu dhe për krijimin e skuadrave të përbashkëta hetimore për hetimin dhe goditjen e veprimtarisë së grupeve kriminale brenda dhe jashtë vendit.