4.9 C
Tetovo
E hënë, 25 Nëntor, 2024
BallinaLajmeDeklarata kontradiktore e Bujar Osmanit në lidhje me respiratorët e Turqisë për...

Deklarata kontradiktore e Bujar Osmanit në lidhje me respiratorët e Turqisë për Maqedoninë

Gjatë ditëve të kaluara opinionin e mbërtheu deklarata kundërthënëse e zëvendëskryeministrit të ngarkuar me çështje evropian të Maqedonisë së Veriut, njëherazi edhe shef i Shtabit Qendror të Krizës për t’u ballafaquar me korona-virusin, Bujar Osmani, i cili duke qëndruar në vizitë në Prilep, mes tjerash, tha se respiratorët që ishin porositur nga Kina për Maqedoninë e Veriut, përmes Ambasadës së Norvegjisë në Beograd, “i kishte marrë Qeveria e Turqisë”.

“Kishte vendim nga Qeveria e Turqisë që të gjithë respiratorët që gjenden në territorin e saj do të përdoren për nevojat e Republikës së Turqisë, ashtu që ata respiratorë i mori Qeveria e Turqisë dhe prandaj Ambasada e Norvegjisë ishte e detyruar që ta ndërpresë atë kontratë dhe të publikojë marrëveshje të re për blerje të respiratorëve përmes një rruge tjetër, e cila do ta anashkalojë Turqinë dhe do ta sjellë materialin drejtpërdrejt nga Kina në Shkup”, deklaroi Osmani në Prilep.

Se deklarata e Osmanit ishte kontradiktore dhe tendencioze, përveç fjalëve, mund të shihej edhe nga buzëqeshja cinike e fytyrës së tij, ku lexohej një ironi e hollë. Ai, madje, duke shtuar disa fjalë, në vend se të flasë si politikan i përgjegjshëm, që ta sqarojë situatën e krijuar, më shumë krijoi konfuzion.

Por, për çka bëhej fjalë konkretisht?
Respiratorët që përdoren për personat që janë në gjendje të rënduar shëndetësore, të shkaktuar nga korona-virusi Covid-19, thuaja në të gjitha vendet e botës – me vendime zyrtare të qeverive – janë të ndaluar për import dhe përdoren vetëm për nevojat e sistemeve nacionale shëndetësore të shteteve kur janë prodhuar dhe që i posedojnë ato. Këtë praktikë e zbaton edhe Republika e Turqisë në luftën kundër armikut të padukshëm – korona-virusit.
Po ashtu, siç dihet, ndihma (donacioni) që është i dedikuar nga një shtet për një shtet tjetër, nuk mund të mbahet nga një shtet i tretë dhe, madje, sipas normave të së drejtës ndërkombëtare, ajo do të mund të paditej.

Pikërisht për shkak të kësaj deklarata e Osmanit se “Qeveria e Turqisë i ka marrë respiratorët e Maqedonisë së Veriut” është e pavërtetë. Në vend që ta shpjegojë në mënyrë korrekte dhe të qartë situatën, ashtu siç është, Osmani paaftësinë e tij e fsheh në akuzat ndaj Turqisë, e cila është partner strategjik i Maqedonisë së Veriut që nga pavarësia e saj dhe e cila, për dallim nga vendet e tjera, e ndihmon Maqedoninë e Veriut në mënyrë të pakushtëzuar.

Pse, Osmani, në vend të akuzave të pabaza ndaj Turqisë, nuk shprehët falënderim për ndihmën mjekësore që ajo ia dorëzoi Maqedonisë së Veriut? Mos ndoshta ajo ndihmë nuk është e rëndësishme për ju në këto ditë, kur qytetarët kanë nevojë për pajisje mjekësore, e cila nënkupton jetë, dhe kur autoritetet kërkojnë ndihmë gjithandej?

Mos ndoshta këtë e bëni që të përfitoni pikë politike, edhe pse me çmimin e rrënimit të marrëdhënieve me një shtet që për Maqedoninë e Veriut mund të jetë e kushtueshme?
Kujt doni t’i vardiseni me fjalorin tuaj antiturk, duke thënë “do ta anashkalohet Turqia”?
A nënkupton kjo sjellje jokorrekte ndaj Turqisë mike në këtë kohë krize, Osmani, një triumf të rrejshëm dhe afatshkurtër, me pasojat e të cilit do të përballet më vonë shteti dhe qytetarët e tij?

Këto janë vetëm disa nga shumë çështjet që ju, zëvendëskryeministër Osmani, i keni hapur me deklaratat tuaja pa kripë, për të cilat u detyroheni me përgjigje qytetarëve, nga xhepi i të cilëve edhe ju financoheni.

Sa për përkujtim, në rrjetet sociale ranë në sy komentet pozitive dhe lavdëruese për Republikën e Turqisë për shkak të ndihmës së kërkuar për t’u ballafaquar me korona-virusin. Ndihma arriti më 8 prill në aeroportin e Shkupit.

Vlen të përmendet se, në luftën kundër korona-virusit, Turqia i ka ndihmuar me pajisje mjekësore shtetet ballkanike, por edhe shtetet e tjera, mes tjerash, edhe Spanjën dhe Italinë, të cilat janë ndër vendet më të goditura europiane nga pandemia.

Një tjetër gjë, që ra në sy, ishte se asnjëri nga funksionarët e Maqedonisë së Veriut, derisa e falënderonte Turqinë për ndihmën mjekësore, nuk e përdorte fjalën “ndihmë”, por vetëm “pajisje mjekësore”, ndërsa për shtetet e tjera rëndom e përdornim fjalën “ndihmë”.

Po ashtu është me rëndësi t’jua kujtojmë se disa funksionarë të lartë qeveritarë as që e përmendën ndihmën e Turqisë për t’u ballafaquar me Covid-19, duke mos pasur gatishmëri të thonë bile asnjë “faleminderit Turqi!”.

Ndihma e institucioneve dhe organizatave joqeveritare turke vazhdon edhe këtyre ditëve para fillimit të muajit të Ramazanit dhe në kohën e pasojave me të cilat ballafaqohen qytetarët për shkak të situatës së shkaktuar nga korona-virusi.

Këtu duhet t’jua kujtojmë, Osmanit, fjalën e urtë se “Kush nuk është falënderues ndaj popullit, nuk është falënderues as ndaj Zotit”. Se kujt i falënderoheni ju, atëherë, dhe çfarë deklarata mbroni? – kjo është një pyetje që edhe më tej do të mbetet “enigmë”.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments