Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, paralajmëroi Kinën se do të përballet me pasoja nëse e ka ditur për koronavirusin, por nuk ka lajmëruar në kohë. Vetëm në Evropë si pasojë e COVID-19 kanë humbur jetën mbi 100 mijë persona. Ai tha se e kupton kur bëhet një gabim, por jo kur e di, pasi ke përgjegjësi për viktimat.
Në një konferencë për media të Task Forcës në luftën kundër COVID-19 të mbajtur në Shtëpinë e Bardhë, Trump tha se ata vazhdojnë të shohin sinjale pozitive që pandemia në SHBA ka arritur “pikun” (kulmin).
Duke krahasuar normat e vdekjeve në SHBA me ato në vendet evropiane, Trump tha se “Normat tona të vdekjeve janë shumë më të ulëta se ato në vendet e Evropës Perëndimore, me përjashtim të Gjermanisë. Në mesin e këtyre vendeve ndodhen Mbretëria e Bashkuar, Zvicra, Belgjika, Italia, Franca. Ndërsa normat e vdekjeve në Spanjë janë 4 herë më të larta se në SHBA”.