Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se nga sot (12 prill, 2020) edhe Komuna e Prishtinës do të futet në karantinë për ta parandaluar përhapjen e koronavirusit.
Sot po ashtu pritet të mbahet një konferencë e jashtëzakonshme për media ku do të prezantohen masat e reja rigoroze që do të ndërmerren.Ky vendim është nxjerrë nga ministri i Shëndetësisë Arben Vitia, në konsultim me kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmetin.
Kujtojmë se mbrëmë (11 prill, 2020) janë konfirmuar edhe 27 raste të reja me Covid-19 në mbarë Kosovën – vetëm në Prishtinë janë regjistruar 20 raste.Kjo ka bërë që numri i personave të prekur nga ky virus të arrijë në 283, prej të cilave 7 raste kanë rezultuar me vdekje të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.Më poshtë mund ta gjeni komunikatën e plotë të Ministrisë së Shëndetësisë:
Pas konfirmimit nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të 27 rasteve të reja pozitive sot në Kosovë me SARS-Cov-2, prej të cilave 20 në Prishtinë, Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia, në konsultim me kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, nxori vendimin për shpalljen e Prishtinës si zonë karantinë.
Me këtë vendim, ndalohen hyrje dhe daljet në komunën e Prishtinës.Obligohen të gjithë qytetarët që të respektojnë masat sipas udhëzimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike.Këtë vendim, MSh e ndërmerr me qëllim të parandalimit të përhapjes së mëtejme të pandemisë Covid -19 në Republikën e Kosovës.Një vendim të ngjashëm, sot Ministri Vitia për shpalljen zonë karantinë e ka marrë edhe për Komunën e Ferizajt, pasi që banorët e kësaj komune dyshohet se kanë pasur kontakt të drejtpërdrejt me personin e infektuar me Covid-19.Për rastet e tjera përveç Prishtinës IKSHPK do të njoftoj sonte pas testimit të gjitha mostrave të sotme.Nesër, me datë 12 prill 2020, do të mbahet një konferencë të jashtëzakonshme për media ku do të prezantohen masat e reja rigoroze që do të ndërmerren për përhapjen e mëtejme të Covid-19 në Kosovë.Për kohën e mbajtjes së konferencës, media do të njoftohen me kohë.