7 C
Tetovo
E diel, 24 Nëntor, 2024
BallinaLajmeBotaAjri pastrohet në Romë, Paris dhe Madrid teksa miliona njerëz qëndrojnë në...

Ajri pastrohet në Romë, Paris dhe Madrid teksa miliona njerëz qëndrojnë në shtëpi

Ndotja e ajrit nga dyoksidi i nitrogjenit ka rënë për afërsisht 40 për qind në tri qytete evropiane, kanë treguar të premten të dhënat e reja satelitore të publikuara nga Agjencia Evropiane e Hapësirës (ESA), në atë që koincidon nga masat mbarëbotërore të mbylljes për frenimin e përhapjes së koronavirusit.

Sateliti “Copernicus Sentinel-5P” i kësaj agjencie ka publikuar tri pamje, të cilat shpërfaqin përqendrimin e dyoksid nitrogjenit në periudhën midis 14 dhe 25 marsit në Francë, Spanjë dhe Itali, e të cilat krahasohen më pas me mesataren mujore të përqendrimit të këtij gazi në vitin 2019.

“Kjo është përllogaritje e nivelit të parë; disa prej këtyre vlerave janë ulur për rreth 40 për qind të vlerës normale… që konsiderohet një rënie tejet drastike”, ka thënë Josef Aschbacher, drejtor i ESA-së për Programet e Observimit të Tokës.

Ekspertët që e studiojnë ndikimin e lirimit të gazeve nga industria dhe transporti në ndryshimet klimatike dhe shëndetin njerëzor po përpiqen që ta kuptojnë ndikimin e mundshëm të pandemisë së koronavirusit, teksa ekonomia po ngadalësohet, fluturimet po pezullohen dhe po zbatohen karantina.

“Ajo që njëmend jeni duke parë këtu janë qendrat e kësaj ndotjeje… Është ky një indikator bukur i mirë i nivelit të parë të rënies së shkallës së ndotjes që gjenerohet prej trafikut dhe industrive”, ka shtuar Aschbacher.

Dyoksidi i nitrogjenit, një gaz ky helmues që lirohet prej veturave, centraleve energjetike dhe fabrikave, fajësohet për disa prej problemeve respiratore dhe të zemrës te njerëzit.

Pothuajse çdo qytet i madh evropian i ekspozohet shkallës së lartë të ndotjes, që e kalon çdo nivel të lejueshëm, kanë treguar të dhënat e një raporti të vitit 2019 nga Agjencia Evropiane e Mjedisit (EEA).

Ulje të theksuar ka pasur veçanërisht në Paris dhe Madrid. Vendet e tjera të Evropës Veriore janë po ashtu duke u monitoruar nga afër, përfshirë në këtë mes Holandën dhe Britaninë e Madhe.

Masat e reja të zbatuara gjatë kësaj jave për parandalimin e përhapjes së koronavirusit kanë prodhuar ulje të përqendrimit të dyoksid nitrogjenit edhe në Britani.

Matjet janë bërë me “Sentinel-5P”, që është pjesë e satelitit “Copernicus”, i cili menaxhohet nga Agjencia Evropiane e Hapësirës. I ndërtuar nga “Airbus” në Britani, “S5P” është lancuar në tetor të 2017-s dhe e bart vetëm një instrument – Tropomi.

Ky është një spektrometër që vëzhgon rrezet e reflektuara të Diellit nga Toka, duke i analizuar përmes ngjyrave të ndryshme.

Duke e bërë një gjë të tillë, mund ta detektojë praninë në atmosferë të një mori gazeve, si dyoksidi i nitrogjenit, ozoni, formaldehidi, sulfur dyoksidi, metani, monoksidi i karbonit dhe aerosoli.

Shkencëtarët tani do t’i kombinojnë të dhënat e S5P-së me një mori modelesh atmosferike dhe transportuese për t’i kuptuar plotësisht observimet.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments