Zëvendëskryeministri i Kosovës, Haki Abazi ka bërë thirrje edhe njëherë që të respektohet vendimi i mbrëmshëm i qeverisë për kufizimin e lëvizjes, ani pse i njëjti shkaktoi shumë reagime duke u konsideruar edhe në kundërshtim me Kushtetutën.
Abazi me anë të një postimi në Facebook ka thënë se vendimi i mbrëmshëm ishte për forcimin e disiplinës dhe për të mos rrezikuar qytetarët
Zëvendëskryeministri ka akuzuar kreun e LDK-së, Isa Mustafa se i ka bashkërenduar veprimet me presidentin Thaçi për kundërshtimin e këtyre masave.
Postimi i plotë:
Mirëmëngjesi!
Të jemi të qartë, mbrëmë Qeveria e Republikës së Kosovës mori vendime për të rritur disiplinën, për të mos rrezikuar qytetarët dhe për të zvogëluar në minimum mundësinë e infektimit dhe shpërndarjes së virusit Covid-19.
Ky është preokupimi kryesor i Qeverisë Kurti. Gjithaq, Kancelarja Gjermane ka përshendetur dhe ka përkrahur vendimet e Qeverisë dhe ka biseduar direkt me kryeministrin Kurti.
Vetëm dy persona dolën kundër në të njëjtën kohë: Thaçi dhe Mustafa.
Nuk e patën hallin te tarifa, por sesi të ndikojnë për ta ndalur e penguar punën e Qeverisë Kurti.
Presidenti Thaçi kreu vepër penale mbrëmë dhe kjo nuk është hera e parë. Ai thirri policinë që të mos e respektojë vendimet e qeverisë. Bazuar në cilin ligj apo kushtetutë ka të drejtë, çfarë në fakt do!?
Nuk është kohë për të menduar sa tendera do t’i kishin marrë e sa para të buxhetit do t’ju ishin falë e dhënë dhëndurëve, kushërinjve e dajallarëve. Është koha që të mendohemi, mundohemi e të punojmë bashkë për të mbrojtur e garantuar jetën e çdo qytetari.
Të gjithë qytetarët e kanë mirëkuptuar secilën masë që kemi marrë deri tani. Kjo gjendje nuk ka ndodhur asnjëherë në historinë e njerëzimit në këtë formë. Gjatë ditës bashkë do të sqarojmë pyetjet që keni.
Bashkë e me emër të Zotit, si dhe duke përkrahur njëri-tjetrin do ta tejkalojmë edhe këtë sfidë