Problemi i mbeturinave mund të zgjidhet brenda dy viteve në rajonin e Pollogut, por mungon vullneti politik dhe qasja serioze e pushtetit qendror dhe lokal. Këtë e thonë përfaqësues të “ Integrity Technology Sistems” një kompani Shqiptaro – Holandeze e cila ka shprehur interesim që të investojë në Maqedoni dhe sidomos në rajonin e Pollogut për ndërtimin e një gjeneratori për përpunimin e mbetjeve, djegien e tyre dhe prodhimin e energjisë elektrike.
Për sa i përket zgjedhjes së problemit të mbetjeve urbane, kemi kontaktuar edhe me vetëqeverisjet lokale dhe kryetarët e komunave duke iu ofruar një zgjedhje konkrete, ne kemi një prokurë nga ITS, që është një kontratë e përzier shqiptaro-holandeze të cilët kanë bërë zgjidhjen e problemit të mbetjeve urbane në Elbasan, konkretisht kanë bërë edhe gjeneratorin e përpunimit të mbetjeve, djegien dhe prodhimin e energjisë elektrike, e njëjta korporatë ka koncesionin ose partneritetin publiko-privat që është një formë tjetër e bashkëpunimit në mes pushtetit dhe korporatave që merren me trajtimin e mbetjeve dhe këtë formë e kemi propozuar edhe për zgjedhjen e përgjithshme për të gjithë mbetjet në RMV”, deklaroi përfaqësuesi i “‘Integriti Technology Sistems’, Sejfulla Osmani.
Ekologët thonë se projektet e këtilla zbatohen në të gjithë Evropën dhe janë zgjidhja më mirë e mundshme. Ata apelojnë tek politika që projektet e tilla të merren seriozisht.
“Bëhet fjalë për një projekt të njëjtë me atë të qendrave evropiane të riciklimit të cilat janë bërë shumë të njohura këtu tek ne. Projektet e këtilla do t’i zgjidhin problemet me mbeturinat në të gjithë Evropën, atje është e rregulluar me direktiva evropiane. Kjo është ajo që na duhet kjo është ajo çka i mungon këtij shteti për atë fryje shohim mbeturinave çdo ditë, në çdo vend mbeturina që nuk përdoret si duhet dhe neve na shkakton dëm dhe shpesh ndizet dhe na shqetëson. Duhet vetëm vullnet dhe politikan më serioz që më mirë të perceptojnë punën”, deklaroi Toni Nikushevski.
Projekt i njëjtë është i ndërtuar në Elbasan të Shqipërisë duke e shndërruar qytetin e Elbasanit nga qyteti më i ndotur në Shqipëri në qytetin më të pastër. Ndërtimi i këtij impianti kërkon vetëm 18 muaj punë. Impiante të këtilla ka 1700 në të gjithë botën ndërsa mbi 340 janë vetëm në Evropë si mënyra më e mirë për djegien e mbeturinave duke shkaktuar ndotje minimale. Me impiante të këtilla mbeturinat kthehen në të holla duke prodhuar energji elektrike dhe mbetje tjera fitimprurëse.