Opozita shqiptare do të mbështesë ish ambasadorin Blerim Reka si kandidat për president. Reka i cili njoftoi kandidaturën e tij si i pavarur, mbështetjen e partive opozitare shqiptare, Lëvizja Besa dhe Aleanca për Shqiptarët do të ketë edhe në grumbullimin e nënshkrimeve të nevojshme për kandidaturë.
Kreu i ASH-së, ZIadin Sela theksoi se marrëveshja me opozitën ka për qëllim që shqiptarët të mos i bëj thjeshtë votues, por vendimmarrës.
“Ne e kemi obligim moral që si opozitë shqiptare, shqiptarit i cili kur të dalë ditën e zgjedhjeve, përfshi edhe atë që do të ketë presion prej Qeverisë, sepse nuk kanë ndryshuar shumë gjërat që të dalë dhe të votojë patjetër, t’ia krijojmë mundësinë që aty në listë ta ketë edhe një shqiptar, të denjët, që i plotëson të gjitha kriteret, me nivel intelektual dhe me përgatitje profesionale të duhur, që të ketë mundësinë dhe ta votojë. Ne e nderojmë listën dhe garën presidenciale dhe ia krijojmë një mundësi shumë me vlerë shqiptarit ditën e zgjedhjeve”, shkruan alsat-m përcjellë Klan Kosova.
Partnerët e koalicionit qeveritar LSDM dhe BDI mbajnë të fshehur emrin e kandidatit të përbashkët për të cilin mbrëmë u pajtuan liderët e partive, Zaev dhe Ahmeti.
Socialdemokratët refuzuan të zbardhin emrin e kandidatit, duke kujtuar se i njëjti do të mësohet ditën e premte. Anketat e brendshme që së fundi i ka realizuar LSDM-ja tregojnë rezultate të ndryshme për katër emrat e përfolur për kandidat të mundshëm.
Rejtingun më të madh si kandidat i mundshëm e gëzon Stevo Pendarvoski si në elektoratin maqedonas ashtu edhe në atë shqiptar. Pas tij radhitet Nikolla Dimitrov, Oliver Spasovski dhe në fund Radmilla Shekerinska. Tek shqiptarët Pendarovski rezulton të jetë më i favorshëm ndërsa i fundit radhitet Dimitrov. Anketat e brendshme të cilat i ka siguruar Alsat tregojnë cenzus prej mbi 50 për qind.
Komente për marrëveshjen me kryeministrin Zoran Zaev nuk ndajnë as nga BDI. Integristët thirren në marrëveshjen mes liderëve, duke potencuar që emri i kandidatit do të mësohet së shpejti. Deri të premten do të prononcohen edhe PDSH-ja dhe partia Alternativa, të cilët parimisht janë pajtuar për të mbështetur kandidatin e Qeverisë. Zaev para kongresit të 3 marsin do t’i takojë liderët partiak të cilët janë pajtuar për kandidat të përbashkët me qëllim promovimin e emrit me të cilin pushteti do të garojë në zgjedhjet presidenciale të caktuara për 21 prill.