BallinaLajmeHekurudha Strugë-Shqipëri ndryshon trase.Qeveria anashkalon Strugën planifikon OHRI-in, të përcjell Autostradën Korridori...

Hekurudha Strugë-Shqipëri ndryshon trase.Qeveria anashkalon Strugën planifikon OHRI-in, të përcjell Autostradën Korridori 8.

Se kur dhe përgjatë cilës trase do të ndërtohet hekurudha nga Struga deri në Shqipëri, nuk dihet ende. Akoma nuk ka as projekt të ri dhe as studim fizibiliteti. Ndërtimi i një tuneli hekurudhor nën malin Jabllanicë u përmend si një zgjidhje alternative, e cila do ta lidhte Strugën me Prenjasin duke anashkaluar zonën e mbrojtur nga UNESCO. Drejtori i Hekurudhave të Maqedonisë së Veriut-Infrastruktura, Sinisha Ivanovski, thotë për Alsat se me një grant të BE-së prej 750,000 eurosh, do të përgatitet një studim paraprak fizibilitetit, një projekt konceptual dhe një vlerësim i ndikimit në mjedis dhe trashëgiminë kulturore.

Për momentin kemi një hekurudhë nga Shkupi në Kërçovë dhe ato dy pjesë nga Kërçova në Strugë dhe nga Struga deri në kufirin me Shqipërinë duhet të ndërtohen. Konkretisht nga Struga deri në kufirin me Shqipërinë, ajo përmes Jabllanicës, asgjë nuk është gati për momentin. Konsulentët e angazhuar nga BE-ja tashmë e kanë dorëzuar planin e punës dhe së bashku me ekspertët pritet të fillojmë punën së shpejti”, tha Sinisha Ivanovski-Drejtor i HM Infrastrukturë.

Që granti i BE-së të aktivizohet, Hekurudhat e Maqedonisë dhe Shqiprisë duhet të nënshkruajnë së shpejti një marrëveshje dypalëshe, pas së cilës do të formohet një njësi e përbashkët për të menaxhuar këtë projekt. UNESCO më herët kishte rezerva serioze në lidhje me planin fillestar, i cili parashikonte që linja nga Struga të vazhdonte përgjatë Liqenit të Ohrit, përmes fshatit Radozhdë, dhe të hynte në Shqipëri në Lin, nga ku do të lidhej me rrjetin ekzistues hekurudhor të Shqipërisë. UNESCO paralajmëroi se një rrugë e tillë mund të rrezikonte trashëgiminë natyrore dhe kulturore të rajonit.

“Për Kërçovë-Strugë dhe kufirin me Shqipërinë, mendimi im personal është se diku nga viti 2028-2029 do të jemi plotësisht të gatshëm të fillojmë tenderimin dhe të fillojmë punimet e ndërtimit. Pra, vetë konsulentët, vetë studimet do të na tregojnë se ku do të kalojë rruga e re ose rruga ekzistuese. Studimi i fizibilitetit do të na tregojë të gjitha avantazhet dhe dobësitë e projektit në të cilin duam të punojmë”, shtoi Sinisha Ivanovski-Drejtor i HM Infrastrukturë.

Ministri Aleksandar Nikolloski, në deklaratë për Alsat në qershor të këtij viti, tha se sa i përket lidhjes hekurudhore me Shqipërinë, UNESCO nuk e konteston më këtë çështje. Ai tha se për momentin po punohet për një projekt për përmirësimin dhe rehabilitimin e linjës nga Shkupi në Kërçovë, pas së cilës do të vijojë faza e dytë, që është ndërtimi i një hekurudhe nga Kërçova, nëpërmjet Ohrit dhe Strugës deri në kufirin me Shqipërinë. Jozyrtarisht, ndërtimi eventual i një linje përmes Jabllanicës do të jetë rreth 22 kilometra e gjatë. /Alsat.mk

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments